Komuna e Prizrenit që udhëhiqet nga kryetari Mytaher Haskuka ka hapur kuletën në fushatë zgjedhore për banorët e disa fshatrave të këtij lokaliteti.
Makineri bujqësore për fermerët e Prizrenit po blihen duke anashkaluar procedurat ligjore të Ligjit të Prokurimit Publik. E gjithë kjo po bëhet në prag të fushatës zgjedhore ku pas pak javëve pritët të përballën Mytaher Haskuka e Shaqir Totaj tek kutitë e votimeve, shkruan lajmi.net.
Në maj të këtij viti, Komuna e Prizrenit kishte realizuar një kontratë për “Furnizim me mekanizëm bujqësorë me participim në Komunën e Prizrenit”. Tenderi u realizua me procedurë të hapur, ku morën pjesë disa kompani. Megjithatë, kontrata i është ndarë kompanisë N. P.T. ” Haxhijaha” Sh.p.k me çmim prej 185, 425 euro. Në këtë shumë janë blerë 55 motokultivator dizel me frezë, 3055 euro për një, dhe 20 copë freza 1.8 metra, 870 euro për një sosh.
Komuna ka vendosur që të blej përsëri të njëjtat makineri bujqësore, por në sasi më të vogël. Këtë e bëri duke u thirrur në një aneks kontratë, duke proceduar me metoda të prokurimit me ‘negocim pa publikim të kontratës’, duke e angazhuar kompaninë e njëjtë “Haxhijaha” që të dërgojë në komunë edhe 4 motltokultivator për 12 mijë e 200 euro, dhe 7 freza për 6 mijë e 90 euro.
Ligji i Prokurimit Publik ka paraparë saktë se kur institucioni mund të përdorë procedurën e negociuar. Sipas ligjit, komuna është dashur që procedojë me ofertë të hapur dhe jo më këtë procedurë, ngasë nuk janë krijuar kushtet që të behët një realizim i tillë i kontratës.
Neni 35, i Ligjit të Prokurimit Publik tek kapitulli “Procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës”, tek pika kontratat për furnizim ka paraparë se në cilat situata mund të behët furnizimi më kontratë të negociuar: “2.2. një kontrate për furnizim: (i) për dërgesa shtesë nga furnizuesit fillestar kur dërgesat e tilla shtesë janë zëvendësime për produktet ose instalimet e dërguara ose kur përbëjnë një zgjatje të dërgesave aktuale të produkteve ose instalimeve nëse ndryshimi i furnizuesit domosdo kërkon nga autoriteti kontraktues që të pranojë produktet ose instalimet që kanë karakteristika të ndryshme teknike ose karakteristika të tjera që janë materialisht të ndryshme nga produktet ose instalimet që janë blerë më parë, dhe këto ndryshime do të rezultonin në mospërputhshmëri apo vështirësi teknike të jashtëzakonshme në funksionim dhe mirëmbajtje. Më kusht që, sidoqoftë, ky nen 35.2.2(i) të mund të përdoret vetëm për të mbuluar një ose më shumë kontrata për dërgesa shtesë që vetëm, ose së bashku, e kanë një vlerë që nuk është më e madhe se dhjetë përqind (10%) e vlerës së kontratës që mbulonte dërgesat fillestare”, thuhet në këtë pikë të LPP-së, e cila nuk ka të bëjë fare me natyrën e furnizimit që ka bërë komuna me negocim, ani pse komuna nuk ka kaluar 10 për qind të vlerës së kontratës bazë.
Javëve të fundit institucionet publike kanë shpeshtuar metodat duke realizuar tender me “procedurë të negociuar”.