Zgjedhjet lokale të 17 tetorit sollën një ndryshim rrënjësor të rezultateve krahasuar me ato të mbajtura me 14 shkurt, raporton Gazeta Blic.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nga vendi i tretë që ishte me 14 shkurt, u rendit në vendin e parë me gjithsej 170 mijë e 177 vota.
E dyta doli Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me gjithsej 167 mijë e 519 vota, ndërsa e treta doli Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 161 mijë e 283 vota.
Vendin e katërt e zuri Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 90 mijë e 708 vota.
Kjo renditje ishte krejt ndryshe në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje, u rendit në vendin e parë me mbi 50% të votave duke lënë pas PDK-në dhe LDK-në.
Njohësit e çështjeve politike në vend, duke argumentuar rezultatet, kanë dhënë disa arsye pse pati një ndryshim kaq të madh të rezultatit në vetëm tetë muaj.
Analisti, Nexhmedin Spahiu, tha se votuesi e dënoi rëndë Albin Kurtin për disa arsye.
Arsyet sipas Spahiut janë premtimet e pambajtura, ngecja në zhvillim dhe keqmenaxhimi me pandeminë.
“Ka qenë një ndryshim drastik në zgjedhjet e 17 tetorit. Votuesi në Kosovë e ka dënuar Albin Kurtin për mos-zotësi qeverisëse dhe ky dënim ka qenë katastrofik, ka qenë më i madh sesa ka qenë shpërblimi që i ka bërë në zgjedhjet kombëtare me 14 shkurt. Në zgjedhjet lokale kjo humbje për vetëm tetë muaj është shumë e madhe. Kjo ka të bëjë me shumë premtime të cilat nuk i ka realizuar Albin Kurti. Psh Ligji për votimin e diasporës që ka qenë i prematuar nga Albin Kurti dhe ka patur mundësi të bëhej brenda 8 muajve, por nuk u bë, u premtua që do të votohej në ambasada dhe nuk u realizua. Prandaj votuesi i diasporës ka votuar më shumë LDK-në sesa Vetëvendosjen. Ka patur ngecje në zhvillim. Po ashtu Ministria e Shëndetësisë dështoi në administrimin e 133 mijë vaksinave të cilat, që dëshmon për paaftësi në menaxhim. rezultat i të gjitha këtyre ishte humbja e një numri shumë të madh të votave në zgjedhjet e 17 tetorit” tha Spahiu .
Edhe profesori universitar, Muhamed Kelemendi, dha disa arsye pse pati një ndryshim të rezultatit nga zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit në ato të lokale të 17 tetorit.
Kelmendi thotë se shkak i humbjes së partisë në pushtet janë premtimet e mëdha që ata kanë dhënë dhe që nuk u realizuan.
“VV ështe në pushtet nga fillimi i këtij viti. Pothusjese udhëheq në mënyrë absolute me Republikën e Kosovës. Pretendimet e këtij subjekti politik kanë qenë të mëdha. Nuk ka fushë që nuk ka propaganduar ndryshime të mëdha dhe pozitive. Tash po kalojnë mbi 9 muaj dhe ndryshimet po mungojnë.
Shikuar në kete anë, del se një faktor kryesor i humbjes se numrit te vorave mbi 40%, pikerisht janë dështimet e VV-së nivel lokal dhe qëndror.
Faktor tjetër është mo-përzgjedhja e kandidateve te kualifikuar për pushtet lokal.
Këta janë dy faktoret me kryesor, natyrisht se ka edhe të tjerë, pse kemi një ulje të madhe të votave për VV-në. Dhe, nese keshtu ece puna, do te kemi ikje edhe më të madhe te qytetarëve nga VV-ja” tha Kelemndi.
Pas raundit të parë, me 14 nëntor, pritet të zhvillohet raudi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, percjell Botapress.info