Gjykata Supreme ka njoftuar se ka refuzuar dy ankesa të cilat ishin paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP.
PZAP më datën 27 tetor kishte marrë vendim për refuzimin e ankesës së kandidatit për kryetar të Hanit të Elezit, Rufki Suma, që kjo komunë të shkojë në rivotim, e po ashtu PZAP kishte dënuar me 10 mijë euro PDK-në për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes Për Subjektet Politike.
Pas këtij vendimi, Suma dhe PDK kanë paraqitur ankesë në Supreme, por që Supremja ka refuzuar ankesat e parashtruara, transmeton Telegrafi.
“Lëndët e regjistruara në Gjykatën Supreme sipas ankesës të kandidatit të pavarur Rufki Suma, për Kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, me numër AA.nr.56/2021, dhe sipas ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) me numër AA.nr.57/2021, të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Anr.693-2/2021 të datës 27.10.2021, janë bashkuar në një lëndë me numrin AA.nr.56/2021.
Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuara, ankesat e kandidatit të pavarur Rufki Suma, për Kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, dhe ankesën e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës, të paraqitura kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Anr.693-2/2021, të datës 27.10.2021”, thuhet në njoftimin e bërë nga Gjykata Supreme.
Zgjedhjet lokale janë mbajtur më 17 tetor, ku PDK është radhitur e para në Han të Elezit, percjell Botapress.info