Ministri i Bujqësisë, Faton Peci është paraqitur sot në konferencë për media bashkë me kryeministrin Kurti.
Peci ka bërë të ditur të arriturat e ministrisë në 8 muaj qeverisje dhe planet për zhvillimin e bujqësisë me ndihma konkrete.
Peci ka njoftuar se 11 milionë euro shtesë do të ndahen në kategorinë e granteve e subvencioneve për vitin 2022.
“Zhvillimi dhe implementimi i politikave të favorshme bujqësore janë prioritet i imi si udhëheqës i këtij dikasteri të rëndësishëm për zhvillim ekonomik të vendit.
Mirëpo për të arritur deri këtu ku jemi sot vetëm pas 8 muajve qeverisje duhej që të:
• Adresoheshin rreth 40 milionë euro obligime të trashëguara nga qeveria e kaluar në kategorinë e subvencioneve.
• Të përballeshim me Raportin e Kualifikuar të Auditorit për Ministrinë
• Të ballafaqoheshim me mungesën e theksuar të zyrtarëve për shkak të arrestimeve të fundit.
E duke marrë parasysh këto e shumë sfida të tjera arritëm që të:
• Mundësonim shpalljen e re me vendim të Qeverisë, për Programin e Pagesave Direkte – Subvencioneve 2021 me vlerë prej 21 milionë euro; duke e bërë këtë vit kalendarik, vitin me përkrahjen më të madhe financiare me vlerë mbi 50 milionë euro në kategorinë e subvencioneve.
• Me qëllim të uljes së keqpërdorimeve dhe eleminimit të mundësive për raste korruptive, hartuam kriteret e reja për Programin e Subvencioneve 2021, njëherit për të adresuar në përpikmëri rekomandimet e dala nga raporti i kualifikuar i auditorit për MBPZHR-në si:
A) Pa zotim të mjeteve nuk ka shpallje të re dhe se
Kryerja e obligimeve paraprake është prioritare para krijimit të raporteve të reja kontraktuale.
• Të rrisnim përkrahjen për perimtarë në 400 dhe 500 euro për sipërfaqe të hapura dhe sera.
• Të lehtësonim kushtet për sasinë e dorëzuar në pika grumbulluese për kultivuesit e pemëve të imta (mjedra).
• Të përfshinim për herë të parë subvencionimin e të vegjëlve të gjedheve.
• Mbulesën e Primës së Sigurimit me vlerë prej 75% për 6 kultura bujqësore. (fruta të imta, molla, rrushi, speci, kumbulla, arra)
• Të mbulonim dëmet në bujqësi në vlerë prej 1.3 milionë euro për dëmet e vitit 2020 teksa në dispozicion janë edhe 1.7 milionë euro për mbulimin e dëmeve në bujqësi për vitin 2021; vlerësimi i këtyre lëndeve gjindet në finalizim.
• Të avanconim legjislacionin i cili kishte ngelur në vend-numëro për 9 vite.
• Të hartojmë për herë të parë Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021 – 2027 ,drafti i parë i së cilës është konsoliduar, pas 8 vite mungese të saj.
• Të hartojmë dhe finalizojmë Strategjinë për Pyje 2021 – 2030.
• Të themelonim me vendim qeveritar Task Forcën për Mbrojtjen e Tokës Bujqësore nga ndërtimet e pa-planifikuara urbane dhe degradimi i saj e cila për mandat ka adresimin dhe parandalimin e ndërrimit të destinimit dhe degradimit të tokës bujqësore.
• Të themelonim me vendim qeveritar Task Forcën për Mbrojtjen dhe Shfrytëzimin e Ligjshëm të Pyjeve e cila për mandat ka shfrytëzimin e qëndrueshëm të pyjeve, ruajtjen dhe mbrojtjen nga prerjet ilegale dhe jashtë cdo kriteri.
• Të adresonim cështjen e akreditimit për standardet dhe kriteret IPARD për Agjencinë e Zhvillimit të Bujqësisë, fale projektit me vlerë 7 milionë euro nga Komisioni Evropian, e që ka filluar implementimi nga GIZ.
• Të adresojmë mungesën e një sistemi të mirëfilltë, të besueshëm e të pa-korruptueshëm të teknologjisë informative, duke inicuar procedurat e nevojshme për avancimin e këtij të fundit. Një system i ri do të thotë eleminim i keqpërdorimeve dhe ndërhyrjeve në proces të vlerësimit të granteve dhe subvencioneve.
• Të formojmë Komisionin për Vlerësimin e Pronave të IBK-së që për herë të parë adreson cështjen e pronave të uzurpuara të Ministrisë së Bujqësisë gjegjësisht Institutit Bujqësor të Kosovës në Pejë.
• Të mundësonim që në vitin 2022 të hyjmë pa obligime karshi fermerëve dhe nga viti i ardhshëm shpalljet e programeve për grante dhe subvencione do të realizohen cdo fillim vit.
• Të rrisim buxhetin e përkrahjes për 11 milionë euro për vitin 2022; shifër kjo e përkrahjes prej 60 milionë eurove, 30 milionë në kategorinë e granteve, 30 milionë në kategorinë e subvencioneve.
• Konform rritjes së transparencës dhe llogaridhënies kemi inicuar auditime të brendshme, të arritura këto të cilat reflektojnë edhe në planin dinamik të punës se MBPZHR-së.
• Është realizuar Analiza Sektoriale nga Komisioni Evropian e cila do të merret parasysh në krijimin e politikave të mëtutjeshme zhvillimore në:
a) Hortikulturë;
b) Blegtori
c) Diversifikim dhe zhvillim i ekonomisë rurale
• Kemi përgaditur draftet e para të masave për Programin për Zhvillim Rural – grante, i cili do të hapet për aplikim në fillim të viti 2022.
Në të ardhmen do të:
• Prioritizojmë rritjen e kapaciteteve të pikave grumbulluese për secilin nënsektor;
• Rritje të përkrahjes për drithërat, për pëmtarë, përimtarë dhe blegtorë.
• Realizimin e një analize të thuket të ndërlidhjes së subvencioneve dhe granteve në mënyrë që investimet e Ministrisë së Bujqësisë të reflektojnë rritje të cilësisë, zhvillimit ekonomik dhe ngritjes së kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese.
• T’iu kushtojmë rëndësi të posacme fermerëve të cilët ushtrojnë veprimtari blegtorale në zonat me lartësi të konsiderueshme mbidetare dhe të thella rurale e këto zona ti trajtojmë si zona me rëndësi të vecantë.
• Mbështesim Agroturizmin, me hapa konkret drejt hartimit të legjislacionit përkatës që do ta rregullojë dhe definojë këtë nën-sektor të rëndësishëm për zhvillim ekonomik si dhe mundësinë e përfitimit të granteve nga kjo kategori.
• Angazhojmë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë për analizë të tokave bujqësore dhe regjionalizim, me marreveshje te nenshkruara bashkepunimi me institucione kredibile sic është Universiteti i Ioëës i Shkencës dhe Teknologjisë.
Ky është vetëm fillimi i vizionit tonë, me 11 milionë euro shtesë për kategorinë e granteve dhe subvencione për vitin 2022, me vendosjen e ligjshmërisë brenda institucionit, rritjes së nivelit të qeverisjes, uljes së keqpërdorimeve, eleminimin e obligimeve karshi fermerëve dhe krijimit të një imazhi të ri e pozitiv për Ministrinë duke ia kthyer besimin e munguar ndër vite” ka thënë Peci në adresimin e sotëm, percjell Botapress.info