Të dielën që lamë pas, në Kosovë u zhvilluan Zgjedhjet Lokale në 38 komuna të vendit.
Qytetarët e Kosovës me 17 tetor kanë votuar për të parin e komunës së tyre.
Mbi 45 për qind e qytetarëve kanë dalur në votime, por pavarësisht kësaj, 21 komuna pritet të dalin në votim edhe një herë, e gjithë kjo për faktin që shumica e kandidatëve në këto komuna nuk kanë arritur të marrin mbi 50 për qind të votave dhe të arrijnë fitore që në raundin e parë, transmeton lajmi.net.
E në mesin e tyre ndodhet edhe komuna e Istogut.
Ilir Ferati, kandidati i LDK-së me 40,91 për qind të votave nuk arriti ta fitojë Istogun që në raundin e parë, duke shkuar në balotazh me kandidatin e AAK-së, Bekë Berisha me 26,61 për qind, duke lënë pas kandidatin e LVV-së, Agron Avdijaj, me 23,39 për qind, kandidatin e PDK-së, Ali Nimanaj me 6,10 për qind, si dhe kandidatin e IBI-së, Idriz Blakaj me 2,99 për qind.
Kandidati i AAK-së në Istog, Bekë Berisha, i cili doli i dyti në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, për lajmi.net, sqaroi për mundësinë e një koalicioni me LVV-në në këtë komunë.
Sipas Berishës, ata janë në bisedime për një të tillë, pasi sipas tij pushteti është për qytetarët, me c’rast sipas tij thelbi është që të fitohen zgjedhjet në mënyrë që të shpëtohet qytetari i Istogut.
“Kemi edhe plan edhe pa plan, na zgjedhjet i fitojmë, se unë kshtu politikë nuk di fort po zgjedhjet mi fitu, me pshtu qytetarin e Istogut, jemi tuj fol, nuk e kemi pushtetin veç per veti, po për qytetarët “, tha Berisha në një prononcim për lajmi.net.
Për Berishën, pushteti i deritanishëm nuk ka kryer punët e detyrueshme ndaj qytetarit të Istogut, andaj sipas tij ky fenomen duhet ndryshuar.
“Janë qytetarët e Istogut, ka djem e vajza t’mira sa t’dush edhe ktu është tuj u ba ni ndryshim mas 20 vjete, edhe është e nevojshme me pas gjithpërfshirës, përndryshe njerëzit me pushtetin që ka qenë deri më tani nuk ju kanë kry punë për shkak që shërbimet qe i ka të detyrushme ndaj qytetarëve, e këtë gjendje dojmë me ndryshu”, përfundoi Berisha.
Kujtojmë që raundi i dytë i zgjedhjeve lokale pritet të mbahen me 14 nëntor në 21 komuna të ndryshme të Kosovës, percjell Botapress.info