Bekim Jashari, rikandidoi edhe për një mandat për kryetar të komunës së Skenderajt në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Por, ai nuk arriti që të rizgjidhet kryetar i komunës që e drejtoi për 4 vite. Jashari ka bërë një reagim në Facebook, duke i falënderuar bashkëpunëtorët e tij për punën e bërë gjatë katër vitetve.
“Të turpëruar duhet të ndihen vetëm ata që nuk lanë gurë pa lëvizur e metodë antiligjore pa përdorur për të marrë peng votën e qytetarëve, ata që ju bënë presion votuesve, ata që iu shkuan në shtëpi një ditë para votimit, ata që i ndalën votuesit para qendrave të votimit duke i shantazhuar e mashtruar, ata që vodhën vullnetin e lirë të qytetarëve e ata që festuan si festuan për një “fitore” që as vet nuk e kishin pritur”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë, mbështetës të Idealit tonë të përbashkët,
Ju faleminderit mijëra herë nga zemra për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjatë qeverisjes sime 4 vjeçare, duke realizuar së bashku qindra projekte milionëshe që kanë ngritur mirëqenien e qytetarëve të Skenderajt dhe të cilat do të mbahen mend gjatë nga të gjithë.
Sot duhet të ndihemi krenar secili nga Ne që punuam me tërë mundin në këto 4 vite për qytetarët, për fushatën shembull që zhvilluam, për programin zhvillimor që ofruam, për ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve, për respektimin e ligjeve dhe institucioneve tona të ndërtuara me shumë mund e sakrificë.
Të gjitha këto i dinë shumë mirë qytetarët e vendit tonë, këto sot fliten gjithandej dhe tashmë çdo gjë dihet për manipulimin e këtyre zgjedhjeve.
Të dashur qytetarë, duke besuar fuqishëm në drejtësinë tonë kemi bërë mbi 10 ankesa në lidhje me manipulimin e procesit zgjedhor dhe presim që të zbardhet e vërteta edhe nëse duhet të hapet e të verifikohet çdo kuti e votimit.
As këto zgjedhje, as manipulimet e shumta dhe as asgjë tjetër nuk mund të ndalë angazhimin tonë të përbashkët për qytetarët dhe vendin tonë të shenjtë.
Shihemi së shpejti bashkë për Idealin tonë!