Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për kryetar të Komunës së Pejës në zgjedhjet lokale pritet të jetë Gazmir Raci, i cili ka qenë edhe ish-pjesëmarrës në dialogun e Brukselit, shkruan Gazeta Botapress.
Tash e disa ditë në media qarkullon një deklaratë e Gazmir Racit, këshilltarit të ish-kryenegociatores së Kosovës, Edita Tahiri, ku e lavdëronte kryeministrin Albin Kurti për paraqitjen në Bruksel.
Mirëpo sipas burimeve të Metros, bëhet e ditur se Raci pritet të jetë kandidat i LVV’së për kryetar të komunës së Pejës.
Ai ka qenë pjesëmarrës në dialogun e Brukselit, ekspert për dialog dhe negociata si dhe pjesëmarrës në disa procese të rëndësishme në vend. Raci tash është edhe aktivist i LVV’së në Pejë.
Raci pritet të marrë besimin nga kjo parti, për ta sfiduar kryetarin aktual të Pejës, Gazmend Muhaxherin, pasi që është parë në disa aktivitete kohën e fundit në Pejë.
Megjithëse nuk ka një konfirmim zyrtar nga partia në pushtet, aktivizimi i Gazmir Racit në rrjetet sociale dhe avokimi për politika publike të cilat ndryshojnë nga e kaluara, duket se janë indikacionet e para të kandidaturës së tij për Pejë.
Deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga LVV se nëse Raci ose ndonjë emër tjetër do të jetë kandidat për të parin e Pejës.
Kujtojmë se zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen në tetor./Botapress/