Gjykata Themelore në Prishtinë e ka marrë nën shqyrtim ankesën e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar si të kundërligjshme pagesën e rrymës në veri, por vetëm për periudhën 5 vjeçare, e jo 21 vjeçare.
Kosovarët prej viteve 2000-2010 kanë paguar 8 për qind të rrymës si humbje në zonat e banuara nga serbët. Dy vitet tjera ranë në 4 për qind, pasi Korporata Energjetike e Kosovës kishte arritur t’i fuste në sistem serbët jashtë veriut dhe ata filluan t’i paguanin faturat e tyre, shkruan lajmi.net.
Nëse 4 për qind e rrymës bëjnë 8 milionë euro, atëherë i bie që për mbi 10 vjet është paguar dyfishi, apo 16 milionë euro në vit, duke arritur në shifrën e mbi 165 milionë eurove, pasi është plus gjyma e vitit 1999. Kur kësaj i shtohet edhe shifra e 16 milionë eurove për 2 vjetët e mbetura i bie që janë paguar direkt nga konsumatorët mbi 180 milionë euro. Kur kësaj i shtohet edhe shifra e paguar për 3 vjetët e fundit, pra rreth 30 milionë euro, atëherë shifra arrin në 210 milionë euro.
Ndërkohë, Avokati i Popullit ka kërkuar që të kthehet vetëm shuma prej 40 milionë eurove gjatë periudhës 2012- 2017. Kjo nënkupton që në total arrin shifra në rreth 250 milionë euro.
Lajmi.net i ka shtruar pyetje Avokatit të Popullit lidhur më atë se pse nuk është bërë padi edhe për vitet e mëparme se 2012-ta dhe të mëpasme se 2017-ta.
Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim me publikun në zyrën e Avokatit të Popullit ka thënë se: “Avokati i Popullit i Republikës së Kovës ka ushtruar padi kundër Vendimit të Zyrës ë Rregullatorit për Energji në Prishtinë (ZRrE), V_399_2012, i datës 06.02.2012, i cili sipas ZRrE-së ka shërbyer si bazë për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore qytetarëve që jetojnë në pjesë të tjera të vendit. Avokati i Popullit në rastin konkret është lidhur me afatin e vendimit të ZRrE-së, për të cilin ka pasur kompetencë, që në mbrojtje të interesit publik, të paraqesë padi për konfliktin administrativ. Avokati i Popullit krahas padisë për konfliktin administrativ ka paraqitur edhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të ZRrE dhe se Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 shtator 2017, e ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit dhe që nga atëherë qytetarët e Republikë së Kosovës nuk u faturohet rryma e shpenzuar në katër komunat veriore të vendit”.
Brenda një periudhe 1 vjeçare, qeveria Kurtit I dhe Kurti II kishte ndarë 21 milionë euro për energjinë e shpenzuar në veri të vendit nga qytetarët dhe bizneset atje. Në vitin 2020 janë ndarë 10 milionë, ndërsa 2021 janë ndarë 11 milionë.
Sipas Avokatit të popullit, ndarja e mjeteve nga ana e Qeverisë, sa do që duket e ngjashme me rastin e padisë së Avokatit të Popullit ndaj ZRrE, për nga aspekti i drejtave të njeriut dhe aspekti juridik në përgjithësi, është një çështje që dallon.
“Sidoqoftë, Avokati i Popullit është vënë në dijeni se çështja e ndarjes se mjeteve nga ana e Qeverisë është ngritur në Gjykatën Kushtetuese dhe pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë për çështjen në fjalë”, ka thënë tutje për lajmi.net, Petrit Çollaku.
Partia Demokratike e Kosovës para pak muajve ka dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese vendimin e qeverisë dhe Listës Serbe për t’i ndarë 11 milionë euro për rrymën e shpenzuar në veri.
“Kjo përbën shkelje kushtetuese për shkak të trajtimit të parabartë të qytetarëve para ligjit. Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet duhet të jenë të bartabarta dhe të zbatueshmë sikur për qytetarët e jugut ashtu edhe për ata të veriut. Presim që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë në merita këtë rast dhe brenda afatit ligjor t’i japë të drejtë kësaj kërkese dhe ta shfuqizojë vendimin e Kuvendit.”, kishte konsideruar PDK.
Në Gjykatën Kushtetuese kanë thënë se janë duke e trajtuar këtë lendë dhe se aktualisht janë duke u marrë me pretendimet e palëve.
“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të palës parashtruese dhe të gjitha palëve të tjera në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e GJK-së për lajmi.net.
Në maj të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës është miratuar vendimi për ndarjen e 11 milionë eurove si mjet financiar për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq), të banuara më shumicë serbe në veri të Kosovës.
Ky vendim ka kaluar me 61 vota për të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Sipas KOSTT-it, që nga viti 2017 e deri në fund të vitit të kaluar, 40 milionë euro vlerësohet vlera e energjisë se shpenzuar në zonën veriore të Kosovës.
Sipas Bilancit të energjisë elektrike për vitin 2021, të publikuar nga ZRRE, kërkesa gjithësej për energji elektrike në Kosovë për vitin 2021 duke përfshirë edhe konsumin për furnizim të veriut të Kosovës, parashihet të jetë 6,433.9 GWh, nga kjo vetëm veriu merr 326 GWh. Kjo energji, e cila njihet si humbje në sistem, po furnizohet nga KOSTT me buxhet jashtë tarifor, percjell Botapress.info