Një debat i ashpër u zhvillua sot në Komisionin Parlamentar për Siguri mes ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe deputetit të AAK-së, Bekë Berisha.
“Mollë sherri” u bë fakti se Sveçla në Komision për të raportuar kishte ardhur bashkë me drejtorin e Policisë, gjë që shkaktoi nervozizëm tek opozita, konkretisht tek deputeti Berisha, shkruan lajmi.net.
E ky i fundit e kulmoi përplasjen duke e quajtur “Cfeklla” ministrin Sveçla, i cili në ato momente menjëherë pas kësaj fjale doli nga salla ku po mbahej mbledhja.
Mirëpo derisa Sveçla nuk po i duron këto ndryshime të mbiemrit që nuk shihen me sy të mirë nga cilado anë që vijnë, ishte vet ai që gjatë kohës që ishte në opozitë bënte të tilla veprime.
Ai, ish-kryeministrin Hoti, e quante “Koti” në një postim të tij në Facebook.
“Kështu edhe zëdhënësit e qeverisë Koti të subjekteve humbëse, paskan sulmuar qeverinë Kurti, se kinse kufiri me Shqipërinë paska qenë i mbyllur e ai me Serbinë i hapur. Kush e bën këtë akuzë? Qeveria e cila sapo u përshëndet nga Vuçiqi për veprimin e rrallë në botë, ku hoqën dorë vetë nga reciprociteti, dhe lejuan që Serbia të hyjë në Kosovë me dokumentat “Kosovo i Metohija”, shkruante ai më 7 qershor të vitit të kaluar.
Sveçla nuk ishte i vetmi zyrtar i VV-së që bënte të tilla modifikime në anë negative të zyrtarëve shtetëtor.
Shumë nga funksionarët e lartë të VV-së madje, ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, i referoheshin me ministri Zezaj. /Botapress.info/