Tërmeti i fuqishëm që goditi ishullin e Kretës nxiti një alarm për tsunami dhe u pasua nga thirrje drejtuar si banorëve vendas, ashtu edhe turistëve të huaj që t’i qëndrojnë larg brigjeve, të paktën përkohësisht.
Dëshmitarët thonë se tërmeti i magnitudës 6.3 zgjati të paktën 20 sekonda. Nga lëkundjet e forta të paktën është shkatërruar një kishë e ka pasur dhe dëme të tjera materiale. Sizmologu i njohur Gerasimos Papadopoulos foli për dallgë tsunami, të cilat edhe pse nuk dukeshin aq të rrezikshme, mirë do të ishte sipas tij, që të mos i zinin njerëzit në breg.
Qendra Europiane Mesdhetare e Sizmologjisë e regjistroi epiqendrën e tërmetit 31 milje në juglindje të portit të Sitias. Disa minuta më vonë, në zonë u regjistruan dhe lëkundje të magnitudës 4.1 dhe 4.5. Nuk dihet ende nëse ka të lënduar. Përveç Kretës, i gjithë Egjeu jugor është tronditur, tha presidenti i Institutit Gjeodinamik Efthymios Lekkas, teksa pati raporte se toka është shkundur deri në Egjipt.