Që në fillim të eskalimit të situatës në Veri, në një shkrim timin (më falni për mungesë modestie se më duhet ta citoj vetveten) ndër të tjerash kam shkruar se ” Zatën krejt “zavalin” e ka kryeministri me përsërit edhe njëherë Krejt e Drejt! Pastaj ulet e bisedon prape Kurti e Bislmi me Vuçiqin e Petroviçin dhe e bëjnë një “marrëveshje për tabelat” e veturave …”
Bajrush Morina: Taksa e Reciprociteti, apo çka e dallon Ramush Haradinajn prej Albin Kurtit? Emri!
Pra, kjo edhe ndodhi!
U arrit një marrëveshje dhe Albin Kurti dhe serbët e veriut “zbythën”. Në fakt, Njësia Speciale e Kosovës do të tërhiqet nga Veriu ndërkaq serbët e rrebeluar do të largohen nga qadrat e tyre të improvizuara bashkë me kamionët e barrikaduar.
Mirë, boll, hiq!
Por, si në të gjitha Marrëveshjet e mëhershme, edhe në këtë marrëveshje kanë mbetur të fshehta dhe të pazbuluara edhe detajet të vogla por që e përcaktojnë në tërësi këtë Marrëvershje:
Unë kam dy -tri pikë-pyetje për këtë Marrëveshje?
E para, nëse tabelat e vjetra KM, GL, PR etj, vetëm mbulohen me një copë letër, qoftë kjo edhe plastike, a do të thotë kjo se serbët e Veriut edhe më tutje nuk janë të obligaur të bëjnë regjistrimin e veturave me dokumente të regjistrimit të Republikës së Kosovës dhe a nënkupton kjo se ata, edhe në të ardhmen, do të sillen e sorollatën nëpër Veri të Kosovës e madje edhe nëpër Komunat me shumicë serbe në brendi të Kosovës, me vetura të paregjistruara apo me regjistrime të kohës së Milosheviqit?
E dyta, veturat me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë a duhet të paguajnë apo jo taksë të hyrjes apo të sigurimit në Republikën e Kosovës?
E treta: Qytetarët e Republikës së Kosovës që hyjnë në Serbi a duhet t’i mbulojnë tabelat vetëm “me stiker (!!!! Cka është more ky fare stikeri???) apo duhet t’i heqin tabelat dhe të bëjën pagesën e tabelave të përkohshme me regjistrim të Serbisë?
E katërta, sa është afati i kësaj Marrëveshje? A do të thotë se edhe në një të ardhme të largët para syve tanë dhe nëpër Republikën e Kosovës do të qarkullojnë veturat me targa të vjetra (por të mbuluara me stiker!) dhe me regjistrim të kohës së Milosheviqit?
Reciprociteti i plotë nuk ka kuptim, nëse në këtë marrëveshje nuk janë përcatkuar edhe këto detaje, në të parë krejt “cikrrimtare” por në përmbajte shumë të rëndësishme për implementimin e kësaj Marrëveshje?
Nejsë, a fitoi ndonjë votë më shumë VV-ja e Albin Kurtit apo krejt në fund: “Më rrove, të rrofa e brisku i berberit!’