Emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak të mërkurën ka takuar ndaras në Bruksel dy udhëheqësit e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e nivelit teknik, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin për të diskutuar mënyrat për ta gjetur zgjidhjen për situatën e krijuar në veri.
Në Bruksel është finalizuar një draft-dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë, ku zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi u deklarua se janë treguar të gatshëm që të mbështesin përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë drejt gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme.
Besnik Bislimi, ka thënë se kanë arritur dakordim me palën serbe sa i përket targave.
“Kemi tentuar që të detyrojmë Serbinë që të largojë edhe procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë. Ky ka qenë edhe rezultati i sotëm dhe mund të themi që është një marrëveshje. Do të preferonim shumë më tepër që të mos ketë asnjë barrierë dhe që të dy shtetet të njohin në tërësi tabelat e vendeve të tjera dhe ky do të jetë edhe objektivi kryesor i grupit punues të cilin do ta themelojmë dhe i cili do të fillojë të takohet që nga data 21 tetor”.
Bislimi ka deklaruar se e vetmja pikë ku Serbia nuk e ka dhënë pëlqimin, para se kjo marrëveshje të konsiderohet e finalizuar, ka të bëjë me veturat KM, njofton Klankosova.tv.
“Ne kemi dakordim për të gjitha pikat. E vetmja pikë në të cilën pala serbe ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin ‘stickers’ dhe ne mendojmë që kjo është absurde për arsye se ato tabela janë ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegalë të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të kenë të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”.
Ai gjithashtu publikoi pikat kryesore të draft dokumentit për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë.
Pikat kryesore të këtij drafti final janë si më poshtë:
1.Të shtunën më datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.
2.Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.
3.Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.
Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar. Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kami një marrëveshje valide.
Bislimi: Të shtunën largohen barrikadat dhe Njësia Speciale, nëse finalizohet marrëveshja
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë që nëse finalizohet marrëveshja e djeshme, sipas tij, të shtunën largohen barrikadat dhe Njësia Speciale.
“Pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, gjegjësisht largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve pastaoj do të zëvendësohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largoheshin nga pikat kufitare”, ka thënë ai.
BE: Ende s’ka përfunduar takimi Kosovë-Serbi për situatën në veri, negociatat vazhdojnë
Zëdhënësi i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se bisedimet në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe për çështjen e targave ende nuk kanë përfunduar.
“Takimi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga emisari Miroslav Lajçak s’ka përfunduar ende, negociatat po vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës”, është shprehur Stano.
Delegacioni i Serbisë: Ende s’ka marrëveshje me palën kosovare
Delegacioni i Serbisë ka thënë për Tanjug se ende nuk është arritur asnjë marrëveshje me palën kosovare.
Kjo më pas u konfirmua edhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se se negociatat po vazhdojnë në mënyrë që të arrihet një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.
Giacobbe: Negociatat në Bruksel vazhdojnë – ka progres, mbetet akoma punë
I ngarkuar me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe ka reaguar pas takimit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Giacobbe u shpreh se është bërë përparim, por puna ende vazhdon, gjithashtu ai tha se inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen hapur dhe seriozisht.
“Pavarësisht raportimeve në media, negociatat në Bruksel vazhdojnë. Ka progres, por ka akoma punë. Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, u shpreh Giacobbe.
Ndryshe, sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.