Janë publikuar pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë së Drejtorisë së Zonave të Mbrojtura në Vain të Lezhës, të cilat hedhin dritë mbi momentin e vrasjes së efektivit të policisë, Saimir Hoxha.
“Ora News”, ka siguruar videon e ekzekutimit të Saimir Hoxhës, ku dallohet qartë veprimet e policisë dhe veprimet e personave të tjerë.
Punonjësit e policisë së Lezhës kanë qenë duke lëvizur me një automjet ngjyrë të bardhë, Land-Rover, kur papritur kanë qëndruar buzë rrugës me qëllim për të verifikuar një automjet tjetër tip “Volkswagen”.
Sapo punonjësit e policisë i kanë kërkuar dokumentet, personi që ndodhej në sediljen e pasme Aldo Rama, ka qëlluar me pistoletë TT në drejtim të Saimir Hoxhës, duke e lënë të vdekur në vend.
Ndërsa dy personat e tjerë, shokë të Aldo Ramës, Kristjan Sheri dhe Armando Marku, fillimisht duken në pamjet filmike se ikin me vrap dhe më pas kthehen sërish tek makina e policisë, duke u ulur dhe kryer veprime për të ndihmuar, punonjësin e policisë që ndodhej i shtrirë në tokë.
Nga goditjet me armë të policëve, mjetit i është ccarë njëra gomë. Por sërisht Aldo Rama, ka vijuar të eci në një distancë prej 1 km me makinën e tij, duke e braktisur më pas dhe hyrë në një territor të lagunës së Vainit.
Pas 5 orë ndjekje, Aldo Rama, u gjend nga RENEA në gjendje të rëndë shëndetësore pasi kishte qëlluar veten me armën tip TT, me të cilën qëlloi për vdekje dhe punonjësin e policisë Saimir Hoxha.