Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do që ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe para zgjedhjeve në Serbi për çka edhe, sipas tij, po e shfrytëzon situatën e krijuar në veri.
“Duhet ta kemi parasysh që ne ndonjëherë mendojmë se veç marrëveshjet që kanë të bëjnë me qëllimet dhe interesat tona individualiste janë të rëndësishme dhe të të tjerëve jo. Ata kanë hall tjetër. Aleksandar Vuçiqit i intereson fort që para zgjedhjeve të mund ta formojë ‘Zajednicën’ qysh po i thonë Vetëvendosja, pra Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Serbia e ka këtë qëllim dhe në bisedime do të dalë kjo çështje ku do të përplasen të dyja palët”.
Haliti, tha se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po e shfrytëzon vendosjen e reciprocitetit për targat ndaj Serbisë për vota.
Deputeti opozitar ka thënë se nuk beson se kryeministri Albin Kurti ka bërë veprime që nuk janë të dakorduara me SHBA-të dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
“Me SHBA-të nuk mund të mos ketë dakordim. Unë me aq sa kam informata ai [Albin Kurti] ka kontakte, e kanë takuar dhe e takojnë vazhdimisht sepse është kryeministër i vendit. Ndoshta për ta goditur politikisht mund të thonë që ka përplasje, por këto përplasje do të kisha shumë dëshirë me i dëgju prej amerikanëve”.