Marrëveshje në pako me ndonjë parti edhe për Presidentin apo Kurti 4 me pakicat – si do t’ia nisë formimi i institucioneve

Lëvizja Vetëvendosje sërish doli fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit që erdhën si rezultat i dështimit të zgjedhjes së Presidentit. Me disa mandate më pak, krahasuar me ato që kishte pas zgjedhjeve të dhjetorit, partia e Albin Kurtit ka dy opsione: formimin një qeverie me pakicat apo një marrëveshje koalicioni që përfshinë edhe Presidentin. Numerikisht, Vetëvendosje, nëse e dëgjojnë pakicat, mund të formojë Kurtin 4, por ecja vetëm me ta mund të çojë vendin sërish në zgjedhje.

Pas një kohe të gjatë ngërçi politik, Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë, tashmë s’e ka për detyrë të sigurojë shumicën e thjeshtë prej 61 votash për formimin e qeverisë së re, por të 80 të tyre për zgjedhjen e Presidentit si puna e parë që duhet të bëhet pas konstituimit të Kuvendit.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje në legjislaturën e re do të ketë 53 deputetë, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7.

Për opsionin e formimit të qeverisë me pakica, Albin Kurti mund të gjejë vota brenda komuniteteve pakicë joserbe të cilat kanë 10 ulëse në Kuvend dhe mund të llogarisë edhe në një nga komuniteti serb meqë Nenad Rashiq, aleat i Kurtit, është zgjedhur deputet.

Me 53 deputetë të saj dhe 8 potencialisht të sigurta nga pakicat, Kurti formon numrin e nevojshëm prej 61 deputetëve.

Me gjithë sigurimin e këtyre numrave, Kosova s’do të ketë institucione nëse s’do të ketë marrëveshje për Presidentin në mes Vetëvendosjes dhe së paku një nga dy partitë tjera pas saj, PDK dhe LDK.

Kjo e fundit ka sinjalizuar se mund të bashkëpunojë me partinë e Kurtit.

Nënkryetari i saj, Lutfi Haziri, dje në Pressing të T7 shprehu gatishmërinë e partisë së tij për një “marrëveshje politike pako” me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila do të përfshinte edhe Presidentin.

“Parimi i parë është: marrëveshja duhet me qenë gjithëpërfshirëse. Nuk mundet me qenë selektive, e ndarë”, tha ai.

Kjo marrëveshje, sipas Hazirit, do të mundësonte që vendit t’i kthehet “një stabilitet, një normalitet politik dhe si hap i parë i domosdoshëm pas kësaj është një agjendë politike e rëndësishme për këtë vend”.

Në një deklarim të para dy ditëve, kryeministri në detyrë Kurti tha se janë të interesuar që “pa humbur kohë” të hyhet “në fazën e ardhshme që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të, sa më shpejt aq më mirë”.

Megjithatë, Kurti nuk u duk se ka ndërruar narrativën ndaj partive të tjera, duke i quajtur “bllok opozitar” dhe duke thënë se ato duhet të braktisin “qasjen refuzuese” ndaj tij.

Për zgjedhjen e Presidentit, Kurti pasi kritikoi Gjykatën Kushtetuese, tha se do të përpiqen të bashkëpunojnë me partitë tjera.

Të enjten, Kurti pati një video adresim ku foli për formimin e institucioneve.

“Është jetike që sa më parë të kemi Kuvend të konstituuar, qeveri të re me mandat të plotë, dhe president apo presidente të zgjedhur. Presim certifikimin e zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja.’’, tha ai.

Gjykata Kushtetuese në fund të marsit kishte dhënë 34 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit. Kjo nuk u arrit dhe vendi shkoi sërish në zgjedhje – të tretat brenda rreth një viti e gjysmë.

Këtë herë, arsyeja ishte moszgjedhja e Presidentit. Dhe nga këtu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se duhet të nisë puna pas konstituimit të Kuvendit.

“Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pra, Kuvendi Kosovës që konstituohet nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë pos propozimet për Presidentin e Republikës”, tha ai.

Krijimin e institucioneve dhe daljen nga bllokada udhëheqësve kosovarë po ia kërkojnë edhe ambasadat e huaja në vend, duke potencuar humbjet e Kosovës nga kjo situatë.

Në një përgjigje sot për Gazetën Express, ambasada amerikane tha se udhëheqësit politikë të Kosovës duhet të bashkëpunojnë për të formuar institucionet, por duke e theksuar se këtë duhet ta bëjnë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Qytetarët e Kosovës presin nga udhëheqësit e tyre që të përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit. Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura. Ka ardhur koha që udhëheqësit të vendosin përparimin dhe stabilitetin në plan të parë, për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha një zëdhënës i ambasadës për Express.

Edhe ambasadat tjera pasi mësuan rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit kanë kërkuar një “partner të fortë” nga Kosova që punon me ta dhe që të dilet nga pozicioni stagnues.

Të tjera