Dje (e diel, 5 shtator), në Kosovë nuk është administruar asnjë vaksinë kundër virusit Korona në Kosovë, shkruan Gazeta Botapress.
Arsyeja? Është e thjeshtë. Procesi i vaksinimit në Kosovë ndalon të dielave, pasi llogaritet ditë pushimi pavarësisht situatës emergjente me virusin Korona që po merr dhjetra jetë njerëzish çdo ditë dhe po infekton qindra e mijëra qytetarë çdo ditë.
Ndërkohë, në Kosovë që nga 31 gushti kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid me orë policore e shkurtim të orarit të gastronomisë, ndërsa deri më tani vetëm 17.5 përqind e qytetarëve të Kosovës janë vaksinuar me dozën e dytë.
“Deri tani, 600 mijë qytetarë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës. Nga 12 shtator ne do te kemi vaksinim edhe të dielave. Numri i të infektuarve përkundër një rënie të lehtë vazhdon të jetë akoma i lartë. Deri tani janë bërë në total mbi 33 mijë teste… Prej atyre që janë të hospitalizuar dhe të konfirmuar me covid, 93 përqind e pacientëve kanë qenë të pavaksinuar”, tha Vitia.
Javët e fundit, qytetarët e Kosovës janë përballur edhe me pamundësinë për të caktuar termin për vaksinim si pasojë e mungesës së dozave të vaksinës, problem që është zgjidhur sot, jo nga qeveria e Kosovës, por nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu, qytetarët e Kosovës tani mund të lënë terminet e tyre për vaksinim, por sigurisht… të dielave ende jo. /Botapress.info/