Dalin nga miniera 18 minatorët e mbetur mbi 16 orë në zgafellë të Trepçës

18 minatorët e ngujuar në minierën e “Trepçës”, tashmë kanë dalë nga miniera. Të njëjtit ishin ngujuar në minierë pas problemeve me energjinë elektrike.

Disa orë më parë ndërmarrja “Trepça” ka reaguar lidhur me bllokimin e rreth 50 minatorëve në minierë.

Tutje, u theksua se kjo ndodhi për shkak të një ndërprerjeje të furnizimit me energji elektrike në Njësisë Biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV Stan Tërg.

“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion”, u tha në njoftim.