Avokati i Popullit u dërgon letër Rubios dhe shteteve financuese pas gjetjeve shqetësuese për Specialen

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u është drejtuar me letër përmes kanaleve diplomatike sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së dhe shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke ua përcjellë raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe duke ngritur shqetësime serioze mbi bazën e gjetjeve të tij. Njëkohësisht, letra u është përcjellë edhe ministrave të Jashtëm të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë.

Sipas njoftimit të Avokatit të Popullit, raporti është shpërndarë gjithashtu te zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Kaja Kallas, presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe drejtues të Këshillit të Evropës.

Në letër, Avokati i Popullit shpreh shqetësime për garantimin e një gjykimi të drejtë në procedurat e Dhomave të Specializuara, duke iu referuar gjetjeve të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Wales”.

Ai thekson se institucioni që drejton ka monitoruar vazhdimisht respektimin e të drejtave themelore dhe kushtet e të paraburgosurve, ndërsa për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme ka angazhuar BHRC-në për një vlerësim të pavarur.

Sipas raportit, janë identifikuar probleme serioze në mbrojtjen e garancive procedurale, veçanërisht në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm.

“Në këtë kontekst, rikujtohet se këto standarde janë të garantuara nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat zbatohen drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës përmes Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

Qelaj nënvizon se respektimi i këtyre parimeve është thelbësor për legjitimitetin dhe besueshmërinë e proceseve gjyqësore, duke kërkuar që praktikat e gjykatës të përputhen plotësisht me standardet më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, transparencës dhe pavarësisë.

Ai thekson se adresimi i shqetësimeve të evidentuara është i domosdoshëm jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor.

Avokati i Popullit rikujton angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se themelimi i Dhomave të Specializuara në Hagë është bërë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe legjislacionit përkatës.

Ai veçon gjithashtu faktin se përfaqësues të lartë politikë të Kosovës janë dorëzuar vullnetarisht për t’u përballur me drejtësinë, si dëshmi e përkushtimit institucional ndaj llogaridhënies dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.