A ka ndonjë nënë që ka tri vajza dhe pastaj një djalë?”, fillon një postim i një nëne në Facebook, i cili vazhdon duke kërkuar këshilla se si edhe ajo të sigurohet që fëmija i radhës i saj të jetë djalë.
Këshillat janë të shumta e të llojllojshme: shiko kalendarin kinez, shpërlahu me sodë buke, ndërroje anën e mitrës, mbet shtatzënë në ditën e ovulimit, konsumo mish viçi dhe burri të pijë më shumë kafe…
Kërkesa të tilla i janë adresuar edhe specialistes së gjinekologjisë, Merita Demiri Demolli, e cila thotë se gjithmonë tenton t’ua qartësojë prindërve se nuk ka metoda natyrale për përcaktim të gjinisë.
“Metodat që qarkullojnë si dieta të caktuara, pozicione gjatë marrëdhënieve apo ‘planifikimi’ sipas ovulacionit, nuk kanë bazë të provuar shkencore”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thekson se përcaktimi i gjinisë, që mund të bëhet shkencërisht përmes fertilizimit të asistuar mjekësor (IVF), bëhet vetëm kur ka arsye mjekësore e jo për “preferenca personale”.
Por, përtej bestytnive dhe këshillave për “metoda natyrale”, përcaktimi i gjinisë në Kosovë është i ndaluar edhe në formën e vetme shkencore.
Ndalesa e përcaktimit të gjinisë së foshnjës parashihet edhe përmes Ligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor (IVF) – ligj që ishte paraparë nga Qeveria Kurti III të hidhej në Kuvend për votim më 1 tetor të këtij viti.
Megjithatë, më 28 prill, pasi nuk u arrit zgjedhja e një presidenti të ri, legjislatura e dhjetë e Kuvendit të Kosovës u shpërnda dhe vendi është, sërish, në prag të zgjedhjeve të parakohshme.
Ky ligj ishte diskutuar e hedhur në votim në Kuvend edhe në të kaluarën disa herë, por ishte kundërshtuar edhe nga disa deputetë që atëkohë ishin pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
Në atë ligj parashihet të ndalohet aborti selektiv i embrioneve të gjinisë së caktuar dhe zgjedhja e gjinisë së fëmijës përmes IVF-së, me përjashtim të rasteve me sëmundje trashëguese të lidhura me gjininë.
E, përtej miteve dhe boshllëqeve ligjore, mesazhi i profesionistëve mbetet i qartë.
“Gjinia nuk përcakton vlerën e një fëmije. Prioriteti duhet të jetë gjithmonë shëndeti i nënës dhe i foshnjës”, përfundon Demiri Demolli.
REL



Të tjera
Lajme
Trepça jep detaje për vjedhjen e dy trafove
Trepça është deklaruar rreth vjedhjes së
Ekskluzive Lajme
Pse u arrestua ish-këshilltari i Kurtit, Durim Berish
Një konflikt familjar që kishte kohë
Aktuale
Natën kur vendi shkoi në zgjedhje, Kurti e Rushiti iu drejtuan popullit nga Presidenca
U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, është