Shtete e Bashkuara të Amerikës njoftuan sot, se kanë vrarë organizatorin e IS-K, një ditë pas sulmit terrorist jashtë aeroportit të Kabulit, duke shkaktuar vdekjen e 13 ushtarëve amerikanë dhe dhjetëra civilëve afganë.
Grupi islamik mori përgjegjësinë e sulmit vdekjeprurës në aeroportin e Kabulit, ku kanë humbur jetën rreth 170 persona në total.
Por çfarë do të thotë IS-K?
Termi IS-K del nga emërtimi i provincës Khorasan të Shtetit Islamik.
“Khorasan” i referohet rajonit historik, që mbulon pjesë të Afganistanit dhe Pakistanit të sotëm.
IS-K është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm nga të gjitha grupet militante xhihadiste në Afganistan.
Grupi ekstrem u krijua në janar të 2015-ës në Irak dhe Siri, para se kalifati i vetëshpallur të çmontohej nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA.
Sa anëtarë ka IS-K?
Në kulmin e tij grupi ekstremist numëronte rreth 3,000 luftëtarë.
Por me kalimin e kohës ka pësuar humbje, për shkak të konflikteve dhe përplasjeve me SHBA dhe talibanët.
Çfarë sulmesh kanë kryer IS-K?
IS-K ka vënë në shënjestër forcat afgane të sigurisë, politikanët dhe ministritë afgane, talibanët, pakicat fetare, përfshirë myslimanët dhe shiitët, forcat amerikane, NATO-n dhe agjencitë ndërkombëtare, përfshirë organizatat e bamirësisë.
IS-K janë fajësuar për disa nga mizoritë më të këqija në vitet e fundit, duke sulmuar shkollat e vajzave, spitalet madje edhe një maternitet, ku thuhet se kanë qëlluar për vdekje gratë shtatzëna dhe infermieret.
Ndryshe nga talibanët, interesi i të cilëve është i kufizuar në Afganistan, IS-K janë pjesë e rrjetit global të IS dhe kërkojnë të kryejnë sulme ndaj objektivave perëndimorë, ndërkombëtarë dhe humanitarë.
Pse IS-K paraqet një sfidë për talibanët?
IS-K i konsideron militantët talibanë “apostatë”, duke legjitimuar vrasjen e tyre, sipas interpretimit që ata i bëjnë ligjit islam, shkruan oranews.
Militantët e Shtetit Islamik tani përfaqësojnë një sfidë të madhe për sigurinë për qeverinë e ardhshme talibane, diçka që lidershipi i talibanëve e ndan me agjencitë e inteligjencës perëndimore