Tre persona kanë mbetur të plagosur mbrëmë pas një përleshje në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.Agron Borovci, Zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës tha se Policia deri më tani ka arritur të identifikoj një person të dyshuar.
“Rreth orës 23:15, është pranuar informata për një rast të plagosjes me armë zjarri në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.”“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para dyshohet për tre persona të plagosur nga arma e zjarrit.”
“Të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.”
“Ndërlidhur me rastin, deri më tani policia ka identifikuar së paku një person të dyshuar, ndërkaq ka nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, u shpreh Borovci.Sot policia në raportin 24 orësh të saj ka dhënë detaje më të hollësishme mbi ngajrjen.
“Rr. Muharrem Fejza, Prishtinë 27.08.2021 – 23:07. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili për shkaqe ende të panjohura kishte gjuajtur me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë të cilët janë plagosur dhe janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Në të njëjtin rast lëndime trupore nga thika kishte marr edhe një person tjetër viktima mashkull kosovar i cili ka pranuar tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore të cilat kanë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja të armës së zjarrit dhe dy thika. Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë me 3 fishekë, armë e cila dyshohet se ishte përdorë në rast. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, rasti vazhdon të hetohet” thuhet në raportin e Policisë.