Dialogu Kosovë-Serbi do të rifillojë në qershor. Kështu ka njoftuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Këtë deklaratë ai e bëri në Bruksel.
Po ashtu, Kurtiika treguar arsyen se pse nuk pranoi Kosova të mbahet takimi i paralajmëruar më 11 maj. Kryeministri ka deklaruar se Kosovës i duhet kohë që të përgatitet për dialogun me Serbinë.
E për këtë ka reaguar ish kryeministri i Kosovës, Avullah Hoti , i cili ka treguar se Qeveria paraprake ka qenë plotësisht e përgatitur për procesin e dialogut
“Kryeministri aktual ka pranuar të gjitha informatat për të gjitha zhvillimet në procesin e dialogut. Unë mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa kam shërbyer si kryeministër i vendit”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Postimi i plotë:
Mbi procesin e dialogut në Qeverinë paraprake
1
Qeveria paraprake ka qenë plotësisht e përgatitur për procesin e dialogut.
Në fillim të mandatit është përgatitur dokumenti “Pozicioni i Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë”, ku janë elaboruar në detaje, në mes tjerash, këto argumente:
- Përhershmëria e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vulosur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008, që nënkupton se pavarësia e Kosovës është në pajtim me ligjet ndërkombëtare dhe rrjedhimisht është e pakthyeshme dhe e përhershme.
- Integriteti territorial i Kosovës është i pa negocueshëm: Kjo përjashton çdo formë të dialogut për shkëmbime territoriale.
- Organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket: Karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe çështje të tjera që sigurojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës si një i tërë nuk mund të jenë pjesë e dialogut.
- Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, anëtarësimin në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, dhe hapja e rrugës për procesin integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Ky dokument është dakorduar në Qeveri, është prezantuar në Kuvendin e Kosovës, është diskutuar me shoqërinë civile, dhe është dorëzuar tek partnerët ndërkombëtarë.
Është mbajtur Samiti i Parisit me Presidentin Macron dhe Kancelaren Merkel, janë zhvilluar vizita në Bruksel dhe kryeqytetet e vendeve kyçe të BE-së për të siguruar mbështetje për këtë qëndrim të Kosovës, si dhe janë bërë koordinimet e nevojshme me SHBA.
Qeveria e ka themeluar “Këshillin e Ekspertëve për Dialog me Serbinë” dhe ka emëruar Koordinatorin për Dialog. Një numër i ekspertëve me përvojë janë angazhuar në dialog, të mbështetur edhe nga Qeveria Norvegjeze dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Këshilli i Ekspertëve ka përgatitur analizat e nevojshme për secilën temë të dialogut.
2.
Mbi bazën e dokumentin mbi pozicionin e Kosovës dhe analizave të Këshillit të Ekspertëve për dialog ka nisur procesi i dialogut, një proces i kufizuar në kohë dhe i orientuar drejt rezultatit final që është njohja reciproke. Janë mbajtur disa takime në Bruksel në nivel të lartë dhe në nivel të koordinatorëve për dialog.
Tema e parë e procesit të dialogut ka qenë “të pagjeturit”. Pastaj është diskutuar për tema të tjera përfshirë obligimet financiare (ku hyjnë dëmet e luftës, pensionet, kursimet në banka etj.). Për të gjitha këto tema, Këshilli i Ekspertëve ka përgatitur analizat e nevojshme të cilat janë mbrojtur në takimet në Bruksel.
Dakordime të caktuara janë arritur në dialog. Por, ka vlejtur parimi se nuk ka asnjë dakordim final pa u dakorduar për të gjitha çështjet, para se gjithash për “për njohjen reciproke” si çështje kryesore e marrëveshjes finale.
3.
Procesi i dialogut ka qenë plotësisht transparent. Para dhe pas çdo vizite në Bruksel kam raportuar në Kuvendin e Kosovës. Pata kërkuar themelimin e një komisioni parlamentar të veçantë për mbikëqyrje të dialogut, të cilin do ta kryesonte opozita. Por, ka qenë kërkesë e opozitës së atëhershme që të raportohet drejtpërdrejt në seancë plenare. Kam mbajtur një seri të tryezave me shoqërinë civile, ku kam prezantuar qëndrimet, progresin dhe sfidat në dialog.
4
Të gjitha dokumentet e dialogut në qeverinë paraprake i janë dorëzuar kryeministrit aktual me rastin e dorëzimit-pranimit të detyrës. Një folder i protokolluar formalisht përmban në veçanti këto dokumente:
– Pozicioni i Republikës së Kosovës në dialog me Serbinë,
– Raport i detajuar (29 faqe) mbi kronologjinë e të gjitha zhvillimeve lidhur me dialogun (samitet, takimet në Bruksel të nivelit të lartë, takimet e koordinatorëve për dialog, vizitat në Prishtinë të ndërmjetësit për dialog, komunikimi me opozitën, koordinimi me Ëashingtonin, vizitat në vendet e Quintit për konsultim lidhur me dialogun, takimet me ambasadorët e Quintit dhe të vendeve të BE-së në Prishtinë lidhur me dialogun, përgatitjet e bëra etj.)
– Të gjitha dokumentet e dakorduara në Bruksel në disa runde të dialogut.
– Dokumentin voluminoz përgatitor për dialog lidhur me obligimet financiare të Serbisë ndaj Kosovës.
– Vendimi i Qeverisë për Këshillin e Ekspertëve për dialog,
– Marrëveshjet me Qeverinë Norvegjeze dhe Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetje për Këshillin e Ekspertëve për dialog.
Kryeminsitri aktual ka pranuar TË GJITHA informatat për TË GJITHA zhvillimet në procesin e dialogut. Unë mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa kam shërbyer si kryeministër i vendit./Botapress/