Ra nga kati i gjashtë, ky është punëtori që humbi jetën dje në vendin e punës në Ferizaj

Basri Nuredini është punëtori që humbi jetën tragjikisht të hënën në vendin e tij të punës në Ferizaj, pasi dyshohet se ra nga kati i gjashtë i një objekti në ndërtim.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:45 në rrugën “Remzi Hoxha”, ku, sipas Policisë së Kosovës, viktima 59-vjeçare ka rënë gjatë punimeve në objekt. Ekipet emergjente, pasi dolën në vendin e ngjarjes, konstatuan vdekjen e tij.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit, patrullat policore kanë siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa në vend kanë dalë edhe njësitë hetimore, forenzika dhe inspektorët e punës.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ndaluar një person të dyshuar me inicialet N.E. për 48 orë.

Sipas njoftimit zyrtar, ai dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person i dyshuar për 48 orë, për shkak të dyshimit për rrezikim të sigurisë në vendin e punës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i shtetit ka udhëzuar Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Punës që të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprime të mëtejshme ndaj të dyshuarit.

 

Të tjera