Botapress, 19 Gusht – Koloneli Brey Hopkins, i cili komandon Ekipin Luftarak të Brigadës 86 të Këmbësorisë të Gardës Kombëtare, ka deklaruar për gazetën amerikane që merret ekskluzivisht me informimin rreth ushtrisë amerikane dhe misioneve jashtë SHBA-së “Stars and Stripes”, se s’ka kurrfarë paralajmërimi për tërheqje nga Kosova, transmeton Albinfo.ch.
“Nuk kam asnjë indikacion për ndonjë tërheqje amerikane”, është shprehur ai për gazetën.
Përkundër se gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile, gazeta shkruan se “Uashingtoni dhe NATO nuk kanë plane as për tërheqje dhe as për zvogëlim të numrit të trupave”.
“Ushtria ende konsiderohet esenciale në mirëmbajtjen e paqes në mes të shumicës shqiptare dhe pakicës serbe”.
Derisa Kosova është njohur nga SHBA-ja dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, Beogradi mbështetet ende nga Rusia dhe Kina, shkruan gazeta.
“Qëllimi i KFOR-it është të mbajë një mjedis të sigurt, në mënyrë që t’u lejojë politikanëve nga të dyja anët hapësirën e frymëmarrjes që u nevojitet për t’u ulur në tryezë dhe për të diskutuar se si të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre”, thotë Hopkins.
Koloneli do të qëndrojë bashkë me njësinë e tij nëntë muaj në Kosovë, por pas largimit të tij, menjëherë do të zëvendësohet “nga Garda Kombëtare e Ushtrisë së Virxhinias pranverën e ardhshme”.
“Çdo rrotullim zakonisht zgjat nga nëntë deri në 12 muaj”.
Megjithatë, sipas Hopkins, “siguria është përmirësuar shumë gjatë viteve të fundit”.
“Shumica e incidenteve midis kosovarëve dhe serbëve tani përfshijnë mbishkrime nënçmuese, me shpërthime të herëpashershme të hedhjes së gurëve dhe krimeve të vogla”, është shprehur ai.
Anëtarë të shërbimit amerikan të intervistuar në Bondsteel kanë thënë për “Stars and Stripes” se janë të lumtur që po kontribuojnë për paqen.
Ushtarët që kishin shërbyer në Ballkan më parë thanë se ishin të befasuar nga sasia e përparimit ekonomik në rajon që nga fillimi i viteve 2000.
Katja Langmaid, nga Batalioni Mbështetës i Brigadës 186, është deklaruar se po shijon punën e saj si anëtare e ekipit ndërlidhës që monitoron një komunitet serb etnik të vendosur në një zonë me shumicë shqiptare, ku tensionet sipas saj “ende herë pas here rriten”.
Katja Longmaid, 28 vjeç, nga Swanton, Vt., është pjesë e një ekipi ndërlidhës që monitoron kryesisht komunitetet serbe që jetojnë në mesin e shumicës së shqiptarëve të Kosovës.
Kampi Bondsteel, i vendosur midis kodrave dhe tokave bujqësore pranë qytetit të Ferizajt në Kosovën qendrore, mbulon rreth 955 hektarë.
Perimetri është rreth shtatë milje i gjatë në bazën, e cila strehon rreth një mijë trupa nga SHBA, Turqia, Polonia dhe Letonia.