Botapress, 18 Gusht – U bënë bashkë me 14 shkurt dhe i fituan “krejt”. Por ende pa i mbushur 6 muaj të “bashkëjetesës” politike, Vetëvendosje e Lista “Guxo” duket se i kanë ndarë rrugët. Ose më drejt, Vetëvendosje ia ka kthyer shpinën Listës “Guxo” duke e injoruar pothuaja totalisht për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit të këtij viti shkruan Botapress.
Duket se zgjedhja e Vjosa Osmanit për presidente të vendit e ka dobësuar tej masje fuqinë politike të kësaj organizate politike të regjistruar për herë të parë për zgjedhjet e 17 Tetorit dhe pjesëmarrëse në zgjedhjet e 14 Shkurtit pa legjitimitet juridik dhe e pacertifikuar nga KQZ si subjekt politik.
Por, euforia e fitores në zgjedhjet e 14 Shkurtit të këtij viti dhe “muaji i mjaltit” mes Vetëvendosjes dhe Listës Guxo filloi të venitet dhe të daravitet kohëve të fundit. Shumë koordinator të Listës Guxo dolën kundër bashkëpunimit me Vetëvendosjen në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit. Kështu përveç degës në Ferizaj, plasaritje me “Qendrën” nga Lista Guxo shpërthyen edhe në Mitrovicë, Prishtinë, Istog e gjetiu.
Dhe duket se “kryefajtor”, i gjithë kësaj “maskarade” brenda Listës Guxo po del të jetë Haxhi Avdyli.
I njohur si “profiter” i LDK-së, duke fituar postin e kryetarit të Degës së LDK-së në Prizren dhe dy herë mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës, Haxhi Avdyli ka reflektuar keq te anëtarësia dhe te koordinatorët e Listës Guxo në disa qendra të Kosovës.
Deklaratat e tij, sidomos në relacion me koordinatorit e Listës Guxo në Ferizaj, Balton Dërgutin dhe përplasjet në distancë me kordinatorët në Istog, Mitrovicë e gjetiu e zbehën tej masje jo vetëm ndikimin politik të Haxhi Avdylit por edhe fuqinë politike të Listës Guxo.
Avdyli i Listës ‘Guxo’ tregon se në cilat komuna kanë potencial për të garuar në zgjedhje
Sot lirisht mund të thuhet se Lista Guxo është një “grusht pushtetarësh” që përfituan pushtet nga euforia politike e zgjedhjeve të 14 Shkurtit dhe asgjë më shumë. Ata megjithëse janë regjistruar si subjekt politik për zgjedhjet lokale të 14 Tetori, deri më tash nuk kanë paraqitur asnjë listë kandidimi dhe pothuaja asnjë kandidat serioz për kryetar të komunave.
Krejt çka ka arritur “të fitojë” Lista Guxo nga bashkëpunimi me Vetëvendosjen është një kandidate për komunën e Sharrit e cila me siguri se do të kalë pragun për t’u bërë pjesë e asmamblesë komunale por jo edhe kryetare e Komunës së Dragashit.
Por ky mbetën fjalët e Haxhi Avdylit se “…e Lista Guxo ka potencial për të paraqitur kandidatë për disa komuna të Kosovës, por që thotë këto do të arrihen me një marrëveshje me VV-në. “Istogun, Deçanin dhe Malishevën, të cilat kemi potencial për të paraqitur kandidat për kryetar. Mitrovica, Ferizaji dhe Prizreni, por të gjitha këto janë pjesë e një marrëveshje që do të arrihen bashkërisht”, tha Avdyli.
Këto fjalë të deputetit Haxhi Avdyli përveç se i ka marrë era, i ka demantuar Lëvizja Vetëvendosje më përfaqësimin e kandidatëve të saj për kryetar të komunave për zgjedhjet e 17 Tetorit. Kështu sipas njoftimit të fundit del se e vetmja kandidate e përbashkët e VV-së me Listën Guxo është kandidatja Kaltrina Salihu, kandidate e Listës Guxo.
Krejt kandidatët e tjerë për kryetar të komunave janë të Vetëvendosjes dhe asnjë të Listës Guxo.
Kështu Vetëvendosje dhe Lista Guxo dalngadalë po i ndajnë rrugët. Krejt çka do të mbeten të përbashkëta janë postet qeveritare dhe grupin e përbashkët parlamentar.
Ndërkaq pas një kohë, përceç se do t’i harrohet emri Listës Guxo, do t’i humbin postet qeveritarët e sotëm të Listës Guxo dhe këta zyrtarë do të treten atje ku kanë qenë para se të rreshtoheshin në LDK e më pas në Listën Guxo: në humnerë!