Marrëdhëniet zyrtare mes Tiranës dhe Prishtinës mund të jenë aktualisht në pikën më të ulët në dekada dhe kjo me siguri për shkak të trilleve të politikanëve. Ardhja e këngëtarit serb në Korçë në ditët në vijim, nuk ka merituar kaq shumë vëmendje, por thjesht ka shërbyer si nxitës për të nxjerrë në dritë mosmarrëveshjet që ka dhe po thellon Edi Rama me udhëheqësit atje.
Për fat të mirë liderët e kanë humbur aftësinë për të ndikuar shumë dhe debatet, polemikat, shemritë e Ramës me Kurtin, Haradinajn, apo Osmanin, nuk kanë prekur aspak raportet e tjera mes dy vendeve të të njëjtit komb.
Flukset e kosovarëve që vizitojnë Shqipërinë në këtë sezon turistik janë në rekorde historike.
Në letrën e fundit që kryeministri ynë i drejtoi mbarë Kosovës, me një impostim si prej babai, prej ati kombi, por gërnjar e përçmues gjithaq, ai kërkonte që të hiqej dorë nga marrëzitë patriotike dhe të ecej përpara. Dhe Rama sugjeronte që kjo bëhet duke vijuar dialogun me Serbinë.
Në këtë frymë është edhe ardhja e këngëtarit serb, për të cilin ka një ndjeshmëri shumë të madhe ne Shqipërinë e Epërme, siç e quan Kadare.
Këtu me gjasë vijmë tek thelbi i problemit. Ne mund të jemi të ndryshëm pa fund me kosovarët, në stil jete, në shije, në muzikën që pëlqejmë, në rrymat që ndjekim, e plot të tjera. Por ne s’mund të jemi të ndryshëm me ta kur vjen puna tek krimet serbe që kanë ndodhur atje. Sepse ato kanë qenë krime ndaj një kombësie, pra kanë qenë krime ndaj shqiptarëve.
Ne do të duhej të kishim të njëjtin sensibilitet dhe të njëjtin qëndrim në këtë rast. Të palëkundur. Dhe nuk është aspak mbetje pas në kohë, ose kapje në kurthet e historisë, nëse kërkon nga agresori t’i pranojë e të reflektojë mbi gjakderdhjet që ka shkaktuar.
Bëhet fjalë për masakra e gjenocide të para dy dekadave. Sot kemi një debat të fortë mbi gjenocidin turk të fillimit të shekullit të kaluar, mbi armenët. Dhe ata si komb nuk po heqin dorë nga kjo kërkesë dhe kanë gjetur mbështetje edhe në zemër të Europës.
Pse u dashka që ne shqiptarët t’i vëmë kaq lehtësisht kapak, dhe sidomos pse u dashka që Tirana zyrtare t’i thotë Prishtinës me kapadaillëk dhe këmbët mbi tavolinë, që hiqni dorë nga marrëzitë patriotike.
Në fund të gjithë do të lëshojnë diku. Ndryshe nuk ecet përpara. Por roli ynë nuk është të diktojmë, as të bëjmë medemek vizionarin global. Sa jemi të ndryshëm me kosovarët, aq lypset të jemi të njëjtë kur vjen puna tek krimet mbi kombin tonë. Të paktën të kemi të njëjtën ndjeshmëri, shkruan MAPO.AL, percjelle Botapress.