Irani kërcënon se do të vendosë mina në Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e tij sulmohen

Këshilli i Mbrojtjes i Iranit ka kërcënuar se do të vendosë mina për të bllokuar të gjithë Gjirin Persik nëse brigjet ose ishujt e Iranit sulmohen, raportuan mediat shtetërore të hënën, shkruan CNN.

“E vetmja mënyrë për të kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit për vendet jo-belligerente është koordinimi me Iranin”, thuhet në deklaratën e këtij organi të lartë të sigurisë, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare Fars News.

“Çdo përpjekje e armikut për t’i sulmuar brigjet ose ishujt iranianë” do të çojë në “minimin me lloje të ndryshme minash detare të të gjitha rrugëve të hyrjes dhe linjave të komunikimit në Gjirin Persik dhe përgjatë brigjeve”, thuhet se ka deklaruar Këshilli i Mbrojtjes.

“I gjithë Gjiri Persik do të bllokohet në mënyrë efektive, dhe përgjegjësia për këtë do t’i takojë kërcënuesit”, shtohet më tej.

Ky paralajmërim vjen pasi ushtria iraniane deklaroi se do ta mbyllte Ngushticën e Hormuzit dhe do ta sulmonte infrastrukturën rajonale nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, realizon kërcënimin për t’i bombarduar centralet e saj energjetike nëse kjo rrugë ujore kyçe nuk rihapet deri të hënën në mbrëmje.