Eliminimi i Ali Larijani nga një sulm izraelit nuk përbën thjesht një goditje tjetër ndaj elitës drejtuese të Iranit, por mund të ketë pasoja më të thella dhe komplekse, madje më të ndjeshme edhe se humbja e liderit suprem Ali Khamenei në fillim të konfliktit.
Sipas një analize të publikuar nga The Guardian, roli i Larijanit si drejtues i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare nuk ishte thjesht institucional. Ai konsiderohej një nga figurat e pakta në Iran që arrinte të ndërthurte nivele të ndryshme të pushtetit, nga strukturat ushtarake, përfshirë Gardën Revolucionare, te lidershipi politik dhe deri te marrëdhëniet me aktorë ndërkombëtarë si Kina dhe Rusia.
Ndryshe nga Khamenei, autoriteti i të cilit ishte më i përqendruar dhe simbolik, Larijani funksiononte si një nyje kyçe koordinimi dhe balancimi. Ai gëzonte besimin e establishmentit ushtarak, ndërkohë që mbante kontakte edhe me rryma më pragmatike dhe të moderuara brenda sistemit. Kjo aftësi e dyfishtë e bënte atë një figurë të pazëvendësueshme në një periudhë presioni të lartë të brendshëm dhe ndërkombëtar.
Humbja e tij merr një peshë edhe më të madhe në kontekstin e mundshëm të një tranzicioni politik. Sipas analizës, Larijani shihej si një nga të vetmit politikanë që mund të shërbente si “urë” në negociata të mundshme apo në një proces të kontrolluar ndryshimi. Eliminimi i tij redukton ndjeshëm hapësirat për një menaxhim fleksibël të krizës.
Njëkohësisht, pozicioni i tij në Këshillin e Sigurisë Kombëtare e bënte një lidhje kyçe mes strukturave ushtarake dhe udhëheqjes politike, veçanërisht pas përshkallëzimit të fundit të tensioneve. Ai ishte ndër arkitektët kryesorë të strategjisë iraniane dhe një nga të paktët që mund të transmetonte mesazhe të besueshme si brenda vendit, ashtu edhe drejt vendeve të rajonit të Gjirit.
Eliminimi i tij lë pas një boshllëk jo vetëm institucional, por edhe funksional për Iranin. Sipas vlerësimit të “Guardian”, mungesa e tij rrit rrezikun e dominimit të elementeve më radikale, të cilat nuk kanë të njëjtën fleksibilitet apo pranueshmëri ndërkombëtare.



Të tjera
Lajme
Këta janë emrat e propozuar nga LVV, PDK, LDK dhe AAK për anëtarë të KQZ-së
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e
Ekskluzive Lajme
“U shemb betoni” – çka dihet për rastin tragjik në Vjenë ku mbetën të vdekur tre shtetas kosovarë
Tre shtetas kosovarë kanë humbur jetën
Lajme
Irani: Pse tani dhe pse kjo ndërhyrje?
Arsyetimi pas Operacionit “Roaring Lion” —