Këshilltari i Kurtit: Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosa Osmanit ta bëjë presidente

 

 

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me debatin për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe rolin e Vjosa Osmani në këtë proces.

Zulfaj ka theksuar se Osmani është zgjedhur në dy nga pozitat më të larta shtetërore falë votave të Lëvizja Vetëvendosje.

“Vjosa është zgjedhur kryeparlamentare dhe presidente me votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Dy nga tri pozitat më të larta në shtet, Kryeparlamentar dhe President, pozita që nderojnë çdo qytetar, Vjosa Osmani i ka marrë me ndihmën e Lëvizjes Vetëvendosje. Asnjë figurë e Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka mbajtur të dy pozitat, pavarësisht kontributit dhe atributeve të tyre”, ka shkruar ai.

Sipas tij, Osmani nuk është anëtare e Vetëvendosjes dhe karrierën politike e ka ndërtuar fillimisht te Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Vjosa nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo është ngritur si figurë politike përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Megjithatë, gjatë kohës sa ishte në LDK, ajo nuk arriti të marrë asnjë post të lartë shtetëror pa votat e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar Zulfaj.

Ai ka rikujtuar gjithashtu se në zgjedhjet e vitit 2019 Osmani ishte vendosur nga LDK si kandidate për kryeministre, por sipas tij nuk arriti të fitojë zgjedhjet.

“Për herë të parë kur LDK e konsideroi për një pozitë më të lartë ishte në zgjedhjet e vitit 2019. Në kohën kur pritej që Albin Kurti të fitonte zgjedhjet, LDK e vendosi Vjosën si kundërkandidate për kryeministre dhe në listë ia dhanë numrin 81. Ajo i humbi ato zgjedhje, ndërsa kur filluan negociatat për koalicionin qeveritar, LDK e mënjanoi nga procesi”, ka shtuar ai.

Zulfaj ka theksuar se në historinë e pasluftës së Kosovës nuk ka pasur rast që koalicioni qeverisës të zgjedhë një president nga opozita.

“Në historinë e pasluftës së Kosovës nuk kemi pasur asnjë rast kur pozita, pra koalicioni qeverisës, ka zgjedhur një president nga opozita. Po ashtu duhet theksuar se në historinë e pasluftës së Kosovës nuk ka pasur kurrë rast kur një subjekt i vetëm fiton gjysmën e elektoratit, siç është rasti me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka shkruar ai.

Sipas tij, edhe në vitin 2021 koalicioni qeverisës kishte tri pozitat kryesore shtetërore.

“Në vitin 2021 koalicioni Vetëvendosje–Guxo kishte edhe qeverinë, edhe kryeparlamentarin, edhe presidencën. Ky është koalicioni që e bëri Vjosën presidente”, ka theksuar Zulfaj.

Ai ka shtuar se aktualisht i njëjti koalicion po propozon një kandidat tjetër për president.

“Sot është i njëjti koalicion që, sikur më 2021, po propozon një kandidat tjetër për president nga radhët e veta. Kësaj here një kandidat që ka gëzuar konsensus si kryetar i Kuvendit dhe mbështetje të madhe popullore”, ka shkruar ai.

Në reagimin e tij, Zulfaj ka thënë se Osmani është figurë e respektuar, por sipas tij Vetëvendosje nuk ka obligim ta mbështesë për një mandat tjetër.

“Vjosa është figurë e nderuar, ish kryeparlamentare dhe presidente dhe e denjë për çdo pozitë, por Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosës ta bëjë presidente”, ka deklaruar ai.

Ai ka folur edhe për rolin e presidentit në sistemin politik të Kosovës, duke theksuar se fuqia kryesore vendimmarrëse i takon Kuvendit dhe shumicës parlamentare.

“Republika jonë është demokraci kushtetuese parlamentare. Presidenti nuk ka fuqi ekzekutive, sepse fuqia ndodhet në Kuvend, te shumica parlamentare. Është shumica parlamentare ajo që miraton buxhetin dhe përcakton orientimin e politikave dhe zhvillimit të vendit”, ka shkruar Zulfaj. /Telegrafi/

Të tjera