Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një emërim të ri në Zyrën e Kryeministrit, duke nominuar Arlind Manxhukën si Zëdhënës të Qeverisë.
Ky ndryshim shënon një kalim nga funksioni partiak në detyrën shtetërore për Manxhukën, i cili tashmë ka shërbyer si Këshilltar Politik i Kryeministrit.
Në vendimin e nënshkruar nga Kryeministri, që është siguruar nga Demokracia.com, thuhet se Manxhuka do të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë që i përcakton Ligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe do të marrë përsipër detyra shtesë të caktuara nga Kryeministri.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 94 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 9 (1.3), nenin 13 (2 dhe 5) dhe nenin 17 (2) të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe nenin 24 (1) të Rregullores (QRK) Nr.04/2026 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Ministrive, nxjerr: Z. Arlind Manxhuka emërohet Zëdhënës i Qeverisë, i cili njëkohësisht është Këshilltar Politik i Kryeministrit”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Zëdhënësi i Qeverisë është i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë, në pajtim me Ligjin Nr. 08/L-108 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.
Detyrat dhe përgjegjësitë e Zëdhënësit të Qeverisë janë të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe kryen detyra të tjera shtesë të caktuara nga Kryeministri.
Marrëdhënia e punësimit e Zëdhënësit të Qeverisë përfundon me mbarimin e mandatit të Kryeministrit, nëse ky emërim nuk ndërpritet më herët.
“Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit nga Kryeministri. Vendimi i dërgohet: Z. Arlind Manxhuka, Zëdhënës i Qeverisë / Këshilltar Politik i Kryeministrit Shefit të Stafit të Kryeministrit. Sekretarit të Përgjithshëm të ZKM-së”.
Arlind Manxhuka, deri tani ka qenë zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili njihet për mbrojtjen e fuqishme publike të qëndrimeve të partisë dhe të Kryeministrit Kurti.



Të tjera
Lajme
Me nderime policore varroset polici Mehdi Ibrahimi nga Mitrovica
Me nderime të larta nga institucionet,
Aktuale
Dogana gjen 1 milion euro të fshehura në rezervuarin e veturës në Merdare
Dogana e Kosovës ka sekuestruar rreth
Aktuale
Takimi me Sorensen, Kurti: Kosova e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë
Albin Kurti, kryeministër i vendit, ka