Më 23 korrik u bënë 21 vjet nga vrasja e veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shaban Manaj. Një vrasje e rëndë enigmatike për të cilën drejtësia vendore kurrë nuk arriti të jap përgjigje.
Gazeta ditë më parë i ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për të ditur ecurinë e hetimeve lidhur me këtë rast, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Duket se Gjykata Speciale ka mbetur e vetmja shpresë për familjarët e Shaban Manajt, të cilët tash e sa vjet presin që të dinë se kush ua vrau më të dashurin e tyre.
Në mandatin e hetimeve të kësaj Gjykate janë edhe krimet e pas vitit 1999, pra deri në fund të vitit 2000. Këtu përfshihet edhe vrasja e veprimtarit Shaban Manajt e cila konsiderohet edhe si vrasje politike, duke qenë se Manaj ishte kandidat për kryetar të Komunës së Istogut nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në një prononcim zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Chris Bennett ka thënë se kjo zyrë nuk jep detaje të hetimeve të saj.
“Zyra e Prokurorit te Specializuar nuk jep detaje të hetimit të saj”, ka thënë Bennet.
Ndryshe, për motive politike, si Shaban Manaj janë vrarë edhe dhjetëra zyrtarë të tjerë të LDK-së. Asnjëherë nuk pati përgjigje nga drejtësia vendore për këto vrasje./Botapress