Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbrëmë ka publikuar letrën që ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar atij nga qelia në Hagë.
Kjo pasi Rama e uroi në ditëlindjen e 53-të Hashim Thaçin.Tri ditë më vonë, kryeministri i Shqipërisë bëri me dije se e mori një letër në kthim nga ish-presidenti Hashim Thaçi që gjendet në paraburgim në Hagë.
Vetëm pas një ore të publikimit në rrjetin social Facebook, Rama e editoi atë.E shkurtoi pak. E ndau në paragrafë dhe ia ndryshoi 15 pjesë të tekstit, por jo edhe kuptimin e tyre.
Fjalinë e parë e ndau në dysh, por duke hequr pjesën “ndryshe” në fjalinë e dytë.E fjalinë e tretë pjesën “si asnjëherë kohëve të fundit” ndryshoi me “si rrallë herë kohëve të fundit”.
Derisa, paragrafin e parë e përfundoi më shkurt në shkrimin e përmirësuar.
“Mallin, dashurinë, e nostalgjinë” nga paragrafi i parë i lëshoi tek fillimi i paragrafit të dytë.Pati edhe përmirësime drejtshkrimore duke e vendosur ku duhet shkronjën “ë” në disa vende.
U përmirësua edhe “Shqipëria e poezive dhe librave ishte dëshirë e ideal” që në të parën ishte “Shqipëria e poezive, librave dhe amaneteve të vyera ishte dëshirë e ideal”.
Unë – thotë Thaçi, “edhe kam luftuar për kët’ideal”, derisa në tekstin e parë thoshte “unë luftova për kët’ ideal”.
Edhe tek lëvdata që i bën Ramës ka përmirësime.
Në tekstin e parë, në të tashmen e vazhduar, shkruan “Edi, ty që po bën Shqipërinë” e kur u përmirësua u mjaftua me qasjen e të shkuarës duke thënë “Edi, ti që bëre Shqipërinë”, shkruan Klan Kosova.
Një numër i madh nga më shumë se 3 mijë komente në Facebook e kanë parë letrën me dyshim e si zor të shkruar nga ish-presidenti kosovar./Botapress/