Ndonëse janë zgjedhjet e para që mbahen në afat të rregullt kohor, rezultati i tyre pa një fitues të qartë, mund të çojë Kosovën në një tjetër fazë të jostabilitetit politik me zgjedhje të parakohshme, raporton Ekonomia Online.
Analistët politikë thonë për Ekonomia Online se ditët në vazhdim mund të ketë edhe shtim të presionit nga bashkësia ndërkombëtare për krijimin e institucioneve.
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Ekonomia Online se nevoja për një koalicion më të gjerë është i nevojshëm pasi vitin e ardhshëm nevojiten 80 vota për zgjedhjen e presidentit.
“Këtë besim votuesi nuk ia ka falë asnjë partie politike, rrjedhimisht i ka lënë që ato parti që të dialogojnë dhe të bëjnë marrëveshje të përbashkët në mënyrën se si duhet qeverisur vendi në katër vitet e ardhshme, pavarësisht se në këtë rrugë do të dalë edhe çështja e zgjedhjes së presidentit që aktualisht asnjë parti politike edhe nëse do ta ketë shumicën e nevojshme nuk do t’i ketë numra e shumicës absolute për 80 deputetëve për ta zgjedhur presidentin, por partitë politike do duhej të ishin në disa qëllime kryesore të cilat janë jetike për Republikën, ngase dihet tashmë se kemi një administratë të re në ShBA, ka zhvillime globale të cilat Kosovën mund ta përjashtojnë siç ndodhi me Ukrainën në raport me dialogun për të ardhmen edhe për sigurinë e saj, në ndërkohë Kosova do duhej të vendoste qëllime të mëdha në raport me bashkëpunimin e jashtëm”, thotë Jakaj për Ekonomia Online.
Jakaj pret nga qeverisja e ardhshme të ketë më shumë bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, për të cilën thotë se “Kosova çdo herë ia ka pa hajrin”. Për çështjen e zgjedhjes së presidentit, Jakaj thotë se duhet t’i ketë disa tipare.
“Gjithmonë ia ka pa hajrin kur i ka dëgjuar miqtë e vet ndërkombëtar dhe do duhej t’i dëgjonte tash me kërkesën që prej tani të dihej jo emri por të ketë konsensus për tiparet që do duhej t’i kishte presidenti ose presidentja në Kosovë, që duhet të zgjidhet më së largu më datën 4 mars të vitit 2026. Një president që është unifikues sipas Kushtetutës dhe Ligjit, një president që ka marrëdhënie të mira me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një president që e kryen rolin e vet kushtetues dhe partitë politike do duhej që t’i kenë parasysh këto tipare në mënyrë që në vitin 2026 ta kemi një president ose presidente që të mos shkojmë sërish në zgjedhje, sepse në fund nga ai proces dëmtohen qytetarët e Kosovës”, u shpreh Jakaj.
Por, ndryshe nga Jakaj mendon analisti tjetër, Argjend Zejnaj. Ai për Ekonomia Online thotë se partitë veçse kanë filluar të dialogojnë ndërmjet vete, veçse kjo po bëhet në kushte konfidenciale.
“Këtë rast ne e kemi kuptuar që Lëvizja Vetëvendosje është e para për nga numri i votave, por nuk jemi të sigurt nëse mund ta formojë mazhorancën për ta bërë një Qeveri, pa pasur nevojë për koalicione brenda legjislaturës së re. Kësaj radhe, i kemi të tri partitë kryesore në një diferencë jo shumë të vogël ndërmjet partisë së parë dhe atyre tjera, por gjithsesi partia e parë në pamundësi për ta formuar Qeverinë do t’i duhet fillimisht t’i presë votat e diasporës dhe në të njëjtën kohë në momentin që nuk do të mund ta mbërri shumicën për ta formuar Qeverinë, atëherë do t’i duhet rrjedhimisht me kërkua aleat ose në të kundërtën me ja dhënë mundësinë partive tjera për ta propozuar mandatarin për kryeministër”, tha Zejnaj për Ekonomia Online.
“Unë mendoj se partitë politike kryesore tashmë janë veçse në negociata njëra me tjetrën në kushte konfidenciale për mundësinë e një koalicioni, por gjithsesi kjo mbetet të shihet nëse këto lajmet që qarkullojnë në kuluaret analitike, janë të vërteta dhe kjo do të na tregojë shumë shpejt pasi të përfundojë procesi i numërimit dhe pasi të dihen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit”, thotë Zejnaj.
Zejnaj thotë se situata politike në botë, mund ta shtojë edhe presionin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj partive politike në Kosovë.
“Ne jemi mësuar që në zgjedhjet e kaluara të kemi një lloj zgjatje të negociatave deri te krijimi i institucioneve të reja, rrjedhimisht kësaj radhe duke pasur parasysh që tashmë po i shohim veprimet e administratës Trump, do të ketë presion të jashtëzakonshëm, jo vetëm mbi partinë fituese por edhe partitë tjera për mundësinë e një koalicioni për të sjellë krijimin e institucioneve sa më shpejt dhe të njëjtën kohë për të qenë një koalicion stabil për t’i përfunduar disa prej punëve të cilat kanë mbetur pezull që mbi katër vite”, thotë Zejnaj për Ekonomia Online.
Bazuar në rezultatet e përditësuara, Lëvizja Vetëvendosje i ka shtuar edhe rreth shtatë mijë vota më shumë dhe është rritur në përqindje nga 40.89% në 40.90%.
PDK-ja ka pësuar rënie në përqindjen e votave pas përditësimit të fundit.
Partia e udhëhequr nga Memli Krasniqi, e cila kishte 22.40% me përditësimin paraprak, pas përditësimit të fundit ka rënie në 22.29 për qind.
LDK-ja është rritur nga 17.23% në 17.42 për qind, tregon ky përditësim i orës 11:42 të së premtes.