Ndonëse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe partnerët e koalicionit të tij kishin qenë të pamëshirshëm përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe s’kishin lënë gjë pa thënë për partitë opozitare, kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, mbrëmë ka trazuar opinionin publik duke lënë hapur derën e bashkëpunimit edhe me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, shkruan Gazeta Express.
Përveç gjuhës polarizuese të viteve të fundit që ishte intensifikuar përgjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, në arkivin e deklarimeve politike, Fatmir Limaj del një prej kritikëve më të ashpër të Kurtit, të cilin s’ka ngurruar ta quaj mashtrues, politikan që ndërron qëndrime, e njeri që punën e parë të tij e ka pozitën e kryeministrit.
Hiç më shumë se para tre javëve, Limaj e kishte quajtur Kurtin si një politikan që “vuan nga kompleksi i së kaluarës”.
Në janar të këtij viti derisa në krah e kishte kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn, Limaj kishte kritikuar ashpër Kurtin, duke thënë se Kosova për katër vite ka qenë e mashtruar dhe se s’duhet të pranojë një mashtrim të ri që do të humbte mundësinë për djemtë e vajzat e Kosovës.
Sipas Limajt, më shumë se kurrë kishte nevojë për t’u kthyer tek puna dhe për të ndërtuar partneritetet me miqtë e vendit.
Në shtatorin e vitit 2024, pikërisht në studion ku ia shtriu Kurtit dorën e bashkëpunimit, Limaj e kishte akuzuar Kurtin se “kishte pranuar ndarjen e sovranitetin me shtetin serb”
“Në momentin kur z. Kurti ka pranuar që të lëshohen letërnjoftimet nga Nishi, për qytetarin nga Prizreni, me adresë të Prizrenit, ai faktikisht e ka ndarë sovranitetin me Serbinë”, kishte deklaruar Limaj më 18 shtator 2024.
Para dy vitesh, Limaj në një konferencë për media e kishte akuzuar Kurtin edhe se po shkatërron gjithçka që është ndërtuar në Kosovë për 20 vite.
“Aktualisht shteti i Kosovës po ballafaqohet me sfida të mëdha. Para së gjithash shteti i Kosovës në këto dy vjet na ka dëshmuar që po drejtohet nga njerëz të cilët fatkeqësisht po bëjnë eksperimente me vendin e tyre, me shtetin dhe qytetarët e tyre. Shteti është personalizuar, dalëngadalë në mënyrë të sigurt, nga ajo që po shohim dhe në ditët që po vijnë, shteti po e humbë kuptimin e institucioneve shtetërore. Po rrënohen e po çmontohen ato çka i kemi ndërtuar tash e 20 vjet”, kishte thënë Limaj.
Këto nuk janë të vetmet herë kur Limaj ka kritikuar e folur keq për Kurtin. Në dhjetor të vitit 2022, kreu i NISMA-s kishte qenë shumë i ashpër me Albin Kurtin, pasi ky i fundit në një mbledhje të përbashkët në Kuvendin e Shqipërisë s’kishte përmendur fare krerët e UÇK-së.
Sipas Limajt, një qasje e tillë e Kurtit është përpjekje për përmbysje të historisë.
“Qysh bre në Parlament të Shqipërisë mos me u fol për Jakup Krasniqin? Zëdhënësin e UÇK-së, zërin e lirisë së Kosovës. Mos me fol për presidentin që ka lexuar deklaratën e pavarësisë. Edhe t’i po më bind mua që po e nderon Ismail Qemalin. Domethënë ju veç të vdekurit ju duhen. Ju veç të vdekurit që s’ju pengojnë i nderoni. Hipokrizi! Turp para shtetit shqiptar, para kombit, kujtdo që e ka këqyr”, kishte thënë Limaj.
Limaj në një tubim të NISMA-s në vitin 2020, kishte thënë se Kurti kishte ardhur në pushtet përmes mashtrimit, shpifjeve dhe kauzave të rrejshme dhe e kishte quajtur Kurtin një mashtrues.
“E patë dje çka ndodhi, as takes e as reciprocitet. Dallimi i Albinit me kryeministrin është i madh. Ai është një mashtrues”, kishte thënë Limaj.
Për qëndrimin e 20 shkurtit të Fatmir Limajt ka pasur reagime të shumta. Ardian Gjini nga AAK në një përgjigje për Express kishte thënë se një koalicion me LVV-në e Albin Kurtit s’është fare qëndrim i AAK-së.
Pa reaguar s’ka qëndruar as vetë Ramush Haradinaj, duke thënë se “E keqja ka emër” dhe se ai është Albin Kurti.
Përgjatë fushatës elektorale, Kurti dhe partnerët e koalicionit të tij kanë qenë brutal me fjalime kundër partive opozitare. Bashkëpuntorja më e afërt e Kurtit, Donika Gërvalla e kishte quajtur Haradinajn edhe si “gjeneral të vetëshpallur”. Vetë Kurti ndërkohë në një tubim të mbajtur në sheshin qendror të Prishtinës pas daljes së exit-polleve dhe rezultateve preliminare, iu ishte referuar partive opozitare edhe si “hajvanë’.