Një grup studentësh nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut po organizojnë një tjetër heshtje 15-minutëshe për viktimat në Novi Sad.
Ata janë solidarizuar me studentët dhe qytetarët serbë të cilët po protestojnë tashmë tre muaj kundër regjimit të Vuçiqit.
Në mënyrë simbolike, në orën 11:52 do të mblidhen sërish në sheshin e qytetit.
E kësaj radhe, ata po ftojnë edhe qytetarët t’i bashkohen.
“Studentët po ju thërrasin. 11.52, e enjte 20.02.2025 – 15 minuta heshtje në shëtitoren, përballë monumentit të Princ Llazarit”, kanë deklaruar studentët.
Ky do të jetë tubimi i pestë në Mitrovicën e Veriut për të nderuar viktimat në Novi Sad dhe për të mbështetur studentët që kanë më shumë se tre muaj që po bllokojnë pothuajse të gjitha universitetet shtetërore dhe po protestojnë pas vdekjes së 15 personave në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Në disa nga tubimet, edhe profesorët kanë mbështetur studentët e tyre.
Aksioni i fundit i heshtjes u zhvillua të mërkurën e kaluar, më 12 shkurt, po në shëtitoren e qytetit.
Kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku kanë vdekur 15 persona dhe dy persona janë plagosur rëndë.