Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave të kandidatëve për deputet. Derisa nuk dihet se kur pritet që këto të bëhen publike, Nacionale ka mësuar se në shumë qendra numërimi, tre emra të Partisë Demokratike të Kosovës kanë marrë një numër të madh votash.
Bëhet fjalë për tre kandidatë, që më herët nuk ka qenë pjesë e listës së kësaj partie, Përparim Gruda, Jakup Nura e Sala Jashari.
Sipas burimeve në shumë qendra ata janë në mesin e emrave më të votuar për të marrë një karrigë në Kuvendin e Kosovës.
Këtë e dëshmon edhe një dokument që ka siguruar Nacionale nga numërimi në dy shkolla në Skenderaj.
Nga votat e numëruara atje, del se Përparim Gruda është renditur pas kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza.
Kjo listë nuk është definitive, megjithatë, sipas së njëjtës Gruda ka marrë mbi 1 mijë e 800 vota.
Jakup Nura në anën tjetër, ka marrë mbi 1 mijë e 700. Edhe Sala Jashari ka befasuar me numrin e votave, po ashtu mbi 1 mijë e 700.
![](https://nacionale.com/uploads/8ef5f1b6-f3cc-4c48-85cb-91ab6b5ae8ee.jpg)
Ndërkohë, në top pesëshe sipas burimeve të Nacionales, nga votat e numëruara deri më tani, janë kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, dhe kandidatët për deputet, Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Vlora Çitaku dhe Enver Hoxhaj.
PDK mbi 180 mijë vota
Sipas rezultateve preliminare, tashmë dihet se Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit duke marrë 22.05 për qind të votave apo 184 mijë e 499.
PDK pritet të ketë rreth 25 deputetë në Kuvendin e Kosovës, sipas këtyre rezultateve.
Vetëvendosje që doli e para me rreth 40 për qind, si parti e parë i takon të formojë institucionet, si rregull ligjor e kushtetues. Megjithatë, Bedri Hamza e ka bërë të qartë se nëse partia e Albin Kurtit dështon ta ndërtojë qeverinë, PDK e merr përsipër këtë gjë.
Më poshtë, gjeni deklaratën e tij të plotë lidhur me këtë çështje, të dhënë në një intervistë gjatë së enjtes në “Pressing”:
“Për PDK-në është rezultat për t’u vlerësuar. VV është e para në vota…çka është karakteristike e këtyne zgjedhjeve partia në pushtet ka lyp referendum dhe 500 mijë vota, e ata s’ia kanë dhënë. Qytetarët kërkuan ndryshim, dhe numrin më të madh e kanë fituar partitë në opozitë.
Bazuar në ligje e kushtetutë i takon partisë së parë që t’i krijojë institucionet. Është tepër e rëndësishme gjeopolitike dhe ekonomike të mos ketë vakum institucionalë. Presim që institucionet të krijohen në afat optimal.
Nuk është se ne detyrimisht, domosdoshmërisht e me çdo kusht presim që të jemi qeveria, mirëpo e kam shpreh gatishmërinë, dhe jam konsitent, që për neve nëse partia e parë nuk arrin për çfarëdo arsye me i kriju institucionet, ne e marrim atë përgjegjësi.
Më e preferueshme edhe më e lehtë për ne është harmonizimi i programeve me partitë që kanë qenë në opozitë”.