Të hënën e 10 shkurtit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua me vendim të GJKKO-së, pasi akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në arrest shtëpie ka përfunduar bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, teksa u arrestua edhe Elman Abule, që konsiderohet si mik i afërt i familjes Veliaj.
Në vendimin e siguruar ekskluzivisht nga IndeksOnline zbardhet edhe aktakuza e ngritur ndaj Veliajt.
Në vendimin që lëshoi Gjykata Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 9 shkurt, thuhet se ndaj Veliajt duhet caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”, si person i dyshuar për kryerjen e dy veprave penale të apostrofuara.
“Provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ekspozojnë ekzistencën e një mekanizmi të mirëmenduar, krijuar dhe vënë në funksion nga shtetasit nën hetim, me qëllim përfitimin nga fondet publike dhe pasurimin personal përmes veprimeve të kamufluara dhe të paligjshme. Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, siç do të prezantohet në vijim, nisur nga provat e administruara në fashikull, të paktën në 10 raste krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale në nivelin më të lartë të qeverisjes vendore”, thuhet mes të tjerash në vendim.
Më saktësisht, Veliaj dyshohet se, përmes nënshkrimit të tij, ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike te disa subjekte tregtare të lidhura ngushtë me të, shkruan IndeksOnline.
Fondet e njëjta dyshohet të kenë përfunduar te disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e Erionit, Ajola Xoxa, si dhe individë të afërt me çiftin Veliaj.
Në dosjen e Veliajt përshkruhet se si është identifikuar një rrjet i dyshimtë i komplikuar transaksionesh, me fondet që kanë kaluar drejtpërdrejt nga Bashkia e Tiranës, në llogaritë e bashëkshortes së Veliajt.
Shoqëritë si “Partners Law”, “Arts Lab”, “Ava Studio”, “Nan Gallery”, “Byl-A”, “Harabel”, “Eventus” dhe “Muza”, janë dëshmi e transaksioneve të kryera mes Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, që janë biznesmenë të njohur në Tiranë.
Madje, bashkëshortja e Veliajt, sipas hetimeve, për një periudhë 6-vjeçare ka kryer transaksione për blerje të shtrenjta që rezultojnë me shpenzime prej 86 milionë e 721 mijë e 175 lekë.
Më poshtë fragmente të dosjes:
![](https://indeksonline.net/wp-content/uploads/2025/02/image-56.png)
![](https://indeksonline.net/wp-content/uploads/2025/02/image-57.png)
![](https://indeksonline.net/wp-content/uploads/2025/02/image-58.png)
![](https://indeksonline.net/wp-content/uploads/2025/02/image-59.png)
![](https://indeksonline.net/wp-content/uploads/2025/02/image-60.png)