Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, nuk është lejuar të udhëtojë mbrëmë për në Hagë, ku ishte caktuar që të jepte dëshminë e tij, pasi u ndalua nga Policia e Kosovës, në bazë të një urdhërese të Gjykatës. Tara është dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa veprimet e Policisë kanë ‘çuar në këmbë’ EULEX-in, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali nga burimet brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Tara ka qenë në stop listë për shkak të urdhëresës aktive të Gjykatës, për një rast të para dy vitesh, që ka ndodhur në Rahovec.
Tara, për të cilin ishte organizuar udhëtimi drejt Hagës, pas verifikimit, u ndalua nga Policia dhe në konsultim me gjyqtarin e procedurës paraprake, i njëjti u dërgua për ta vuajtur dënimin, ndonëse ka pasur mundësi që ta kryejë pagesën dhe të lirohet.
Veprimet e organeve të rendit dhe drejtësisë, sipas të njëjtave burime, kanë revoltuar zyrtarët e EULEX-it, për shkak të procesit të dërgimit të tij drejt Hagës.
Ismet Tara është marrë nga aeroporti dhe është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese, ndërsa nuk dihet nëse është marrë ndonjë veprim tjetër deri më tani apo është liruar i njëjti.