Lëvizja Vetëvendosje i hyri garës së 9 shkurtit me synimin për të marrë 500 mijë vota për të qenë në gjendje që formojë qeverinë pa koalicion.
Rezultati final i zgjedhjeve nuk dihet ende, por ajo që dihet me siguri është që Vetëvendosje dhe partnerët e saj të koalicionit, Guxo e Alternativa, nuk do të kenë deputetët e mjaftueshëm për votimin e qeverisë.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në përditësimin e saj të fundit dje të rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.83 % e që me numër të deputetëve përkthehet me 47 deputetë.
Ndërkaq, tri partitë opozitare shqiptare, PDK, LDK dhe koalicioni AAK-Nisma bashkë kanë 47.21% të votave të numëruara deri më tani apo 53 deputetë.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në vitin 2014 kishte qenë i zëshëm në shpjegimin se kush del i pari jo medoemos është fitues në një republikë parlamentare.
Ai thoshte shumica është vendimmarrja dhe se logjika e të parit në garë është monarkiste.
“Pra, ata e mendojnë garën zgjedhore si një garë automobilistike – kush doli i pari me marrë kupën. Por, Republika nuk është garë automobilistike, zgjedhjet demokratike në Republikë është kush e formon shumicën e tërësisë. Tërësia është çështja e shumica është vendimmarrja. Pra, jo kush është i pari në garë, por kush e formon shumicën. Ka pafund raste në shtete tjera anembanë botës ku partia e parë s’arrin ta krijojë shumicën dhe kot është e para se Republika e tillë është, republikë parlamentare e demokratike. Kjo logjika i pari në garë në fakt është realiste, monarkiste, i pari është mbreti e kur vdes ai janë pasardhësit”, kishte thënë Kurti.
Megjithatë, kjo deklaratë nuk përputhet aq me atë që e bëri të dielën mbrëma kur rezultatet preliminare nxorën të parën Vetëvendosjen. Kurti atë u shpreh i bindur se do të formojë Qeverinë Kurti III.
“Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme. Falënderoj të gjithë votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të koalicionit tonë fitues me partinë Guxo dhe me partinë Alternativa. Pra jemi të parët dhe ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë e të mbarë, demokratike e progresiste. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re pra Kurti 3 dhe në këtë mënyrë ne do të vazhdojmë edhe ato punët që i kemi nisur por edhe shumë të tjera të reja”.
Eugen Cakolli nga KDI më herët ka publikuar disa versione se sa deputetë do të mund të ketë Vetëvendosje pas numërimit të të gjithave votave.
• Nëse LVV fiton rreth 60% të votave jashtë vendit, mund të marrë deri në dy mandate shtesë, duke arritur në gjithsej 49 deputetë.
• Në variantin më pozitiv për LVV, kur fiton mbi 75% të votave jashtë vendit, mund të arrijë deri në 51 deputetë.
• Ndërsa, në variantin negativ për LVV-në, kur merr më pak se 50% të votave jashtë vendit, mund të bjerë në 46 mandate.