Dikush në kafe e dikush direkt në zyrë. Kështu e nisën ditën e dhjetë shkurtit prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Kjo, edhe pas deklaratës së kandidatit për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit prokurorët duhet të shkojnë në shtëpi dhe se s’kanë pse dalin në punë me 10 shkurt.
Gazetarja: Prokurore a mund të na tregosh qysh po ju shkojnë punët sot?
(prokurorja Habibe Salihu dhe Arbëresha Raca Shala, nuk flasin).
Gazetarja: A mund të na tregoni a keni dalë në punë?
Prokurorja Salihu: Po, normalisht.
Ndërsa, Prokuroria Florie Salihu Shamolli, thotë se në punë ka dalë si çdo ditë dhe punët po i shkojnë shumë mirë.
Gazetarja: Qysh të kanë shku punët sot, a ke dalë në punë?
Prokurorja Shamolli: Shumë mirë moj, po është Këshilli Prokurorial që vendosë, nuk vendosë… ne jemi institucion i pavarur.
Gazetarja: A e keni dëgju deklaratën e kryeministrit që ka thënë se duhet të shkoni në shtëpi?
Prokurorja Shamolli: O nuk është çështje e tina.
Në anën tjetër prokurori Admir Shala ka deklaruar se nuk i bëjnë përshtypje deklaratat e politikës.
Gazetarja: Shkurtimisht deshëm me të pyet meqë Kurti ka thënë mos me dal në punë më 10 shkurt, sot ju keni vendosë me dalë në punë, apo?
Prokurori Shala: Kysmet.
Gazetarja: A keni ndonjë koment për deklaratën tij?
Prokurori Shala: Jo të lutem, nuk merrem me komente politike, ne vazhdojmë punën, ato të tjerat le t’i mbesin politikës, ne s’jemi të përfshirë ën në politikë.
Gazetarja: Ka qenë shqetësueses për juve si prokuror i Prokurorisë Speciale deklarata e Kurtit?
Prokurori Shala: Nuk na shqetësojnë deklaratat, ne e shohim punën tonë.
Në punë të hënën e 10 shkurtit kishte dalë edhe prokurori Bekim Kodraliu.
Gazetarja: Deshëm me ju pyet a doni me dalë në punë.
Prokurori Kodraliu: Po more.
Gazetarja: Ka deklaru Kurti që 10 shkurtit s’keni ç’ka dilni?
Prokurori Special Naim Abazi, i cili ndër të tjera ka edhe rastin e Banjskës, u pa duke shkuar në punë, ani pse nuk deshi të komunikonte fare me medie.
Më 3 shkurt, në një nga tubimet elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, kandidati për kryeministër Albin Kurti, ndër të tjera tha se partitë opozitare së bashku me prokurorët që sipas tij u janë bërë krah s’kanë pse dalin në punë një ditë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Sikur partitë e tjera opozitare edhe prokuroria e shtetit që u bë si parti politike opozitare, ka me i humbë zgjedhjet me 9 shkurt. Po a e dini çka pas 9 shkurtit ata nuk do të kenë as deputetë në Kuvend qysh mund mi pas naj parti opozitare, nëse ka fat me kalu pragun. E meqenëse partia më e re politike opozitare prokuroria e shtetit nuk do të ketë deputet në legjislaturën e 9-të, atëherë le të shkoj në shpi, me 10 shkurt s’ka pse del n’punë se s’janë tu bo punë, le të rrinë në shtëpi…”, kishte deklaruar Kurti.
Megjithatë, kjo deklaratë Kurtit siç duket nuk u bëri përshtypje as prokurorëve, Merita Bina-Rugova e Fatos Ajvazi, të cilët zgjodhën të nisin ditën e punës si çdo ditë tjetër, por pa u deklaruar për medie.
Lidhur me këtë deklaratë të Kurtit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP),më 7 shkurt 2025 ka dënuar më 5 mijë euro gjobë Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të gjuhës nxitëse ndaj Prokurorisë së Shtetit.
Sipas vlerësimit të Panelit, një deklarim i tilli i kandidati për deputet, konsiderohet se është nxitëse dhe urrejtëse kundër të tjerëve dhe është shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë pasi ka qëllim të krijoj atmosferë tensioni ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe të përçarjes në raport me prokurorinë e shtetit, përkatësisht prokurorët. /BetimipërDrejtësi