Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar një ditë pas zgjedhjeve, ku partia e e tij humbi dhe doli e treta, raporton Sinjali.
Abdixhiku tha se rritja e partisë i jep mundësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak, por, sipas tij, “kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë dhe për këtë ndjejë keqardhje.”
Postimi i plotë:
Të gjithë votuesve tanë, ju faleminderit që mbështetët Lidhjen tonë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju faleminderit që nderuat demokracinë e atdheut tonë. Të gjithë veprimtarëve tanë ju faleminderit që punuat me kaq vullnet e me kaq emocion në këto zgjedhje. Asgjë mangut!
Punuam mbarë.
Ecëm drejtë.
Ecëm si qytetarë me ëndrra të mëdha për këtë Republikë.
Shpresoj të ju kem prirë mbarë; shpresoj të ju kem përfaqësuar siç keni merituar gjithnjë!
E shoh me plot krenari rrugëtimin e bërë deri më tani. Nuk dijmë ndryshe, nuk duam ndryshe, nuk duhet ndryshe.
Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak – dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjejë keqardhje.
Pavarësisht të gjithave,
Do të ketë dritë!
Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura; sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK do të ofrojë qëndrimet e veta politike.