I akuzuari për vrasjen e argjentinases në Fushë Kosovë jep versionin e tij për ditën kritike

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën e së enjtes, ka dhënë mbrojtjen Endrit Nika, i cili po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë. Ai rrëfeu versionin e tij të ditës kritike.

Gjatë dëshmisë, Nika tha se në momentet kritike ka qenë në korridor të dhomës së hotelit, kur ka dëgjuar një krismë dhe më pas është kthyer në dhomë, ku nuk e ka parë tani të ndjerën M.K-U., dhe ka vërjetur se nuk ka qenë as xhami statik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kam bërtit tri herë K., K., K., (emrin e viktimës). M’u duk krejt si film, si andërr e keqe”, ka deklaruar i akuzuari Nika.

Ai tha se paraprakisht kishin pasur mosmarrëveshje, por që tërë kohën kishte tentuar që ta qetësojë tani të ndjerën.

I akuzuari deklaroi se ka shkuar tek tani e ndjera pasi kishte rënë nga dhoma, duke i dhënë ujë për të pirë, por që nuk ka guxuar as ta lëvizë.

Po ashtu, ai tha se ka biseduar edhe me policinë, por nuk i kujtohet se çfarë, pasi që ka qenë në shok, por e di që ia kanë vendosur prangat.

Nika deklaroi se tani e ndjera M.K-U., i kishte treguar se më parë ka qenë në gjendje depresive.

Paraprakisht, në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitarja e propozuar nga mbrojtja- doktoresha Blerina Gashi, e cila i ka dhënë ndihmën e parë viktimës në vendngjarje.

Ajo tha se kur kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ka qenë krejt në xhama të thyer, por se viktima ende ka qenë e vetëdijshme duke lëvizuar dhe se kjo ka biseduar me të.

Gashi tha se e ka pyetur tani të ndjerën nëse është hedhur vetë nga dritarja dhe ajo i është përgjigj me “Jo”. Tha se e pyeti edhe nëse e ka shtyrë dikush, por prapë i është përgjigj me “Jo”. Ajo deklaroi se me viktimën ka komunikuar në anglisht.

Po ashtu, doktoresha tha se ka menduar se do ta thërrasin organet e drejtësisë, por që nuk është ftuar. Por, theksoi se më 5 nëntor 2025 ka dhënë deklaratë në Polici.

Lidhur me këtë, prokurori i rastit Armend Hamiti tha se policia është njoftuar nga një zyrtar policor se në një trajnim që ka qenë, ishte prezente edhe doktoresha Gashi dhe ka dëgjuar se ajo ka folur për këtë rast dhe ka thënë se ka disa informacione por që nuk është marrë në pyetje nga askush edhe pse ka qenë dëshmitare në vendin e ngjarjes.

Prokurori shtoi se gjatë fazës së hetimit ka munguar raporti mjekësor i përpiluar nga doktoresha Gashi, por që më pas Policia e ka verifikuar se ai dokument ka qenë i dorëzuar në Emergjencën e QKUK-së dhe i njëjti është trajtuar edhe gjatë përpilimit të raportit të autopsisë nga eksperti mjeko-ligjor.

Gashi tha se nuk i kujtohet nëse tani të ndjerës i kishte dhënë ndonjë terapi në autoambulancë derisa e kanë dërguar në Emergjencë.

Në anën tjetër Gashi deklaroi se pjesa e saj ishte sigurimi i rrugëve të frymëmarrjes, e që për atë arsye i është vendosur qaforja viktimës. Tha se medikamentet për dhembje jepen nga infermieret, pasi kjo është si protokoll.

Doktoresha po ashtu tha se derisa të stabilizohet pacienti, bisedohet tërë kohën me të, në mënyrë që të mbahet në vetëdije.

Ajo tha se kanë pasur raste të ngjashme më parë, por që nuk ka qenë e ftuara nga organet e drejtësisë.

E pyetur se pse ka pritur që të ftohet në këtë rast nëse nuk është ftuar në rastet tjera, Gashi tha se mendoi që mund të ftohet pasi kishte kontaktin e parë me tani të ndjerën. Ndërsa, sa i përket trajnimit, ajo tha se e ka përmendur ngase kanë qenë aktuale gjykimet mediale.

Seanca u ndërpre me propozim të prokurorit Hamiti, pasi që ishte fundi i orarit dhe konsideroi se nuk do të mund t’i përfundonte pyetjet për të akuzuarin, dhe nuk dëshironte të kishte shkëputje të marrjes së tij në pyetje.

Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.

Të tjera

Aktuale

Kryeziu: Vetëm në një klasë në Prizren s’pati keqpërdorime me vota

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha

Aktuale

Kurti e tregon “recetën sekrete” të qeverisjes së tij

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka