Në javët që shkuan, Kryeministri Albin Kurti ua shpalosi vendeve anëtare të QUINT’it një plan për hapjen e Urës së Ibrit edhe për qarkullim të veturave. Pesë ambasadorët perëndimorë nuk u bindën. Kur shkuan në zyrë për t’i kthyer përgjigje thanë se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment. Pasi qëndrimi diplomatik e ushtarak u bë i qartë, për urën në publik ka filluar të flas më shumë edhe presidentja Osmani. Ajo po kërkon një plan të përbashkët Kosovë- aleatë për hapjen e urës. Ditë më parë Presidenca tha se rreth kësaj cështje SHBA i ka ndarë vlerësimet e sigurisë me shefen e shtetit, ndërsa vetë Osmani tha se me Kurtin ka folur për urën para një muaji.
Ura e Ibrit, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptarë dhe atë të Veriut me shumicë serbë, është një nga çështjet më të diskutuara së fundi në Kosovë. Këmbëngulja e Kurtit për ta hapur atë ka ngjallur papajtueshmëri me ndërkombëtarët.
Pas një sërë diskutimesh, Kurti u bind që duhet koordinim për ta hapur Urën e Ibrit. Ai pardje tha se duan ta hapin atë sa më parë por pa i befasuar partnerët.
“…Duam që këtë ta bëjmë sa më parë, mirëpo as nuk do t’i befasojmë partnerët tanë e aleatët evropianë e amerikanë, por as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë, është e dobishme për të gjithë hapja e kësaj ure”, tha Kurti kur u pyet për kohën se kur pritet hapja e saj.
Kurti u shpreh se hapja e Urës mbi Ibër do të bëhet në bazë të një plani, që ai tha se e ka ndarë me partnerët evropianë e amerikanë.
“Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit të cilin e kemi ndarë së bashku me partnerët amerikanë dhe evropianë, kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri të Kosovës edhe në jug, edhe me shqiptarët e komunën veriore e jugore të Mitrovicës. E kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike të urës mbi Ibër dhe po e bëjmë një dizajnim, zbukurim, sepse duhet të kujdesemi edhe për pamjen vizuele të kësaj ure. Duam që këtë ta bëjmë sa më parë, mirëpo as nuk do t’i befasojmë partnerët tanë e aleatët evropianë e amerikanë, por as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë, është e dobishme për të gjithë hapja e kësaj ure”, u shpreh Kurti.
Në një takim që Kurti pati me ambasadorët e QUINT’it më 2 gusht, ZKM njoftoi se është diskutuar për këtë plan.
Sipas ZKM’së ky plan parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urë.
“Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër. Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urë”, thuhet në komunikatën e ZKM’së.
Nuk dihet nëse presidentja Osmani, që u përfshi më shumë në këtë temë kohëve të fundit, është në dijeni për planin që e ka hartuar Kurti.
Ajo është duke shtyrë idenë e një plani të përbashkët të Kosovës dhe aleatëve për hapjen e urës.
Gjatë takimit me komandantin e KFOR’it, Ozkan Ulutas, presidentja Osmani tha se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës në Mitrovicë.
“Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin e saj se çështja e hapjes së urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Presidentja ka ritheksuar se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Nëse Osmani është njoftuar për planin e Kurtit, Express e ka pyetur këshilltarin e Osmanit për media, Bekim Kupinën, por deri tani, ai nuk ka kthyer përgjigje.
Mirëpo se kanë komunikuar për Urën e Ibrit, e konfirmoi dje presidentja Osmani. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Osmani tha se ka folur me Kurtin para një muaji, pa thënë më shumë.
Javën e kaluar, ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për REL se ka rrezik të vërtetë se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
Lidhur me këtë, nga presidenca për Kallxo kanë thënë se Osmani është njoftuar nga SHBA për vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë.
Osmani tha se vlerësimet e sigurisë që i ka ndarë SHBA me të dhe ato të institucioneve të Kosovën në shumicën e rasteve dërrmuese janë identike.
“Si për çdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës që të ulemi bashkë institucionet e Kosovës dhe aleatët e sigurisë dhe ta hartojmë së bashku planin e zbatimit që i merr parasysh vlerësimet e sigurisë edhe të Kosovës edhe të aleatëve tanë, dhe ju siguroj që shumicën e rasteve dërrmuese ato janë identike”, tha Osmani në një konferencë për media më 15 gusht.
Po ashtu javën e kaluar, Osmani tha se ura mbi Ibër duhet të hapet pa nxitur konflikte me ushtarët e KFOR’it dhe prezencë të shtuar të NATO’s.
“Ajo urë nuk është dashur të mbyllet kurrë, ajo është mbyllur për arsye komplet politike. Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interesin e Kosovës që të shohim konflikt mes policisë sonë dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptar që pajtohet me një gjë të tillë. Pra të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin. Ne nuk kemi arsye të jemi në konflikt me aleatët tanë”, tha Osmani.
Sa i përket urës së Ibrit, KFOR ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë