Mbi objektet në afërsi të urës së Ibrit qysh në orët e mëngjesit janë vendosur pjesëtarë të EULEX-it dhe të KFOR-it, ndërsa ekspertët për matjet e stabilitetit të urës të kontraktuar nga qeveria deri tani ende nuk janë parë te kjo urë.
Ndërkohë, në orën 11:00 është paralajmëruar një protestë nga serbët lokal, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës së Ibrit, e cila është e mbyllur për qarkullim të veturave që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Prania e KFOR-it dhe EULEX-it vjen pasi një grup qytetarësh nga komuniteti serb kanë paralajmëruar se do të protestojnë mesditën e sotme në Mitrovicën e veriut.
Veton Elshani zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun, i ka thënë Gazetës Express se sot është paralajmëruar një protestë e serbëve në pjesën veriore të Kosovës.
Elshani ka thënë se protesta pritet të jetë e qetë. Siç ka thënë ai, arsyeja e protestës sipas organizatorëve është “gjendja e rëndë e serbëve në Kosovë”.
Ai po ashtu ka deklaruar se do të ketë policë të mjaftueshëm që gjithçka të jetë nën kontroll.
“Një grup i qytetarëve në veri ka paralajmëruar një protestë për nesër në ora 11:00, në pjesën ku i mbajnë protestat te sheshi Car Lazar. Do të ketë numër të mjaftueshëm të policëve që do ta mirëmbajnë sigurinë. Protesta pritet të jetë e qetë”, ka thënë Elshani.