Anëtari i Kuvendit në Komunën e Istogut, Arianit Selmanaj, është larguar nga AAK-ja për të iu bashkuar LDK-së.
Përforcimin më të ri të LDK-së e ka prezantuar kryetari i Istogut, Ilir Ferati.
“Mirësevjen në LDK, Arianit! Sot, bashkë me Ruzhdinë, kryetarin e nëndegës sonë në Kaliqan, i uruam mirëseardhje në LDK Arianit Selmanaj, asambleistit që nga sot perfaqësimin politik dhe ushtrimin e profesionalizmit të tij do ta bëjë ne grupin e asambleistëve të LDK-së!”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” kryetari i Istogut.
Kurse, arsyet e kalimit në subjektin e ri politik i ka treguar vetë Selmanaj.
“Si një njeri i fjales dhe kontribues i rëndësishëm në komunitet me përvojë të gjerë në fushën e financave, besoj se ky ndryshim është në përputhje me interesat e komunitetit. Nën udhëheqjen e LDK-së, mund të jap angazhimin më të madh për të mirën e qytetarëve të Komunës sonë. Dua të shpreh mirënjohjen time për mbështetjen dhe besimin që më është dhënë nga votuesit dhe bashkëpunëtorët gjatë kohës së qëndrimit tim në AAK. Një falenderim i veçant shkon për kryetarin e deges së LDK-së dhe kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati, strukturave udhëheqëse të LDK-së, shoqërisë, miqve dhe familjes për përkrahjen dhe mbështetjen e dhënë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.