Qeveria e Kosovës e ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në takimin e 26 qershorit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Takimi i thirrur nga Bashkimi Evropian, në qendër të tij do të ketë zbatimi i marrëveshjes baza për normalizimin e marrëdhënieve. Opozita ndërkohë shprehë shqetësim se gjatë takimit mund të ketë kompromise të dëmshme për Kosovën.
Dhjetë muaj më parë kryeministri Albin Kurti pas një takimi me presidentin Vuçiq i cili takim kishte përfunduar pa rezultate konkrete akuzonte Serbinë dhe BE-në se po i bënin trysni që të pranojë një propozim i cili kapërcente, sipas tij, kornizat e marrëveshjes bazë për normalizim të marrëveshjes midis palëve. Kuri tha se BE-ja kishte mbështetur një propozim të Serbisë i cili e veçonte vetëm zbatimin e pikës ku flitet për asociacionin.
“Takimi nuk ka pasur rezultat sepse nuk kam mundur të bëjë kompromis”, tha ai.
Pas takimit të mbajtur në shtator 2023 në Bruksel kryeministri Kurti nuk shfaqi gatishmëri për një takim tjetër me presidentin serb. Ai kërkoi nënshkrimin e marrëveshjes nga Serbia edhe pse BE ripërsëriti thirrjen për një takim të nivelit të lartë. Por, pse tani kryeministri Kurti i tha po takimit me Vuçiqin dhe cili është fokusi i takimit sipas Qeverisë së Kosovës.
“Me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, Kryeministri i Republikës së Kosovës do të marrë pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, i cili është paraparë për javën tjetër, më 26 qershor. Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj, dhe rrugën përpara”, tha për rtv21 Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.
Marrëveshja bazë e arritur më 27 shkurt në Bruksel midis kryeministri Kurti dhe presidentit serb Vuçiq u pa si një lloj kompromisi mes palëve, meqë siç u tha parasheh njohjen të cilësuar de facto të Kosovës dhe njkëkohësisht edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Por prej muajsh asnjëra e as tjetra ende nuk kanë ndodhur dhe takimi i thirrur Kurti-Vuçiq pritet të mbahet në frymën e kritikave të ndërsjella për shkelje të marrëveshjes.
Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci ka kërkuar nga BE-ja që të bëjë trysni mbi Serbinë që takimi i 26 qershorit të ketë rezultate konkrete.
“Nëse nuk i bëhet presion Serbisë që marrëveshjen ta nënshkruaj dhe ta zbatojë atëherë nuk besoj se do të ketë diçka konkrete. Siç po e shohim BE-ja nuk po ka ndonjë vullnet që t’i bëjë presion Serbisë deri më tash. Dhe nuk pres shumë nga ky takim sepse ne e dimë që pala serbe po i ikë nënshkrimit dhe zbatimit të marrëveshjes së Bruskelit”, tha Bajqinovci.
Opozita ndërkohë është skeptike për rezultatet që mund të ketë takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka shprehur habinë se kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht ftesës. Ajo tha se qeveritarët kanë deklaruar se nuk takohen me palën serbe pa u zbardhur sulmi në Banjskë.
“Këta po takohet për të thënë se u takuan. Në bazë të deklaratave që po ndodhin dhe kanë ndodhur po e shohim që nuk ka ndonjë shpresë për dialogun. Pas vizitës së fundit të Ljackakut është e çuditshme se këta thanë se nuk bisedojnë me Serbinë, ndërsa tash është caktuar data e takimit”, tha Kadrijaj.
Deputetja Kadrijaj shprehë drojën se në takimin Kurti-Vuciq mund të servohet në tavolinë ndonjë kompromis i dhimbshëm për Kosovën.
“Nëse e keni përcjellë raportimin e Besnik Bislimit në komision ai ka thënë se Kosovës po i kërkohet koncesione për heqjen e masave”, tha ajo.
Paritë opozitare po i kërkojnë kryeministrit Albin Kurti që të raportojë në Kuvend për takimin e paralajmëruar në Bruksel. Në bazë të një rezolute të miratuar nga deputetët e Kuvendit, kryeministri është i obliguar që të raportojë në Kuvend para dhe pas çdo takimi në Bruksel me palën serbe./RTV21