Rreth 900 qytetarë dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes në Deçan, raporton Gazeta Express.
Për këtë arsye ata edhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë.
Ndërsa, në lidhje me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka thirrur konferencë për media në orën 19:00.
Sipas ministrisë, tema e konferencës do të jetë informimi për çështjen e rasteve të dyshimit të helmimit në ujë për qytetarët e Komunës së Deçanit.
Në konferencë do të flet edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.
Kujtojmë që kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, në një konferencë për media të mbajtur sot ka thënë se kanë marrë vendim që uji të mos përdoret më.
Ai ka ftuar institucionet e drejtësisë që të merren me këtë rast.
Ramosaj ka thënë se rezultatet kanë treguar se kimikisht nuk ka probleme nga uji, por që po i presin edhe analizat biologjike.
“Ne kemi marrë vendim që uji të mos përdoret. Kemi ftuar prokurorinë, hetuesit, policinë e shtetit, IKSHPK-në, kompaninë “Hidrodrini” të cilët janë duke e kryet punën që të kemi një ekspertizë të saktë”, ka thënë ai.