Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi kanë zgjedhur që ‘transparencën’ e tyre për dialogun ta bëjnë nëpërmjet Facebookut dhe jo në Kuvendin e Kosovës ku raportohet për procese të rëndësishme të vendit.
Edhe pse i pari këtë e filloi kryeministri Kurti, një shembull të njëjtë po e ndjek edhe zëvendësi i tij Bislimi i cili gjatë ditës së sotme nëpërmjet Facebookut ka njoftuar lidhur me takimet dypalëshe e trepalëshe në Bruksel.
Bislimi ka zgjedhur Facebook’un që t’i adresojë çështjet e diskutimit, duke i ikur raportimit në Kuvendin e Kosovës ku deputetët mund edhe të të vënë në siklet me pyetjet e tyre.
“Takimi trepalësh Kosovë-Serbi-BE është mbajtur të mërkurën me fillim në ora 13 e 30 dhe ka zgjatur 3 orë e 20 minuta. Pala jonë i ka shtruar sërish vërejtjet tona dhe pas nesh pala serbe ka ngritur 5 shqetësimet e saj, natyrisht me fokus kryesor tek asociacioni. Në përgjigjen time ndaj “shqetësimeve” të ekipit serb, kam adresuar edhe asociacionin.”, ka shkruar Bislimi.
Më tutje, ai ka thënë se takimi trepalësh mes Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evrpoian është mbajtur të mërkurën dhe ka zgjatur 3 orë e 20 minuta, e sipas tij, pala kosovare ka shtruar vërëjtjet me fokus të asociacioni për të cilit shprehet se Serbia s’ka kredibilitet moral për të kërkuar implementimin e çfarëdo marrëveshje.
Bislimi është kritikuar sot nga aktivistë të shoqërisë civile. Eugen Cakolli nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se raportimi për dialogun s’do duhej të kufizohej nëpër rrjete sociale.
“Raportimi për dialogun me Serbinë nuk do të duhej të kufizohej në “raportim” nëpër rrjete sociale. Kuvendi i Kosovës është vendi ku së pari duhet raportuar e ofruar llogari”, ka thënë ai./Botapress/