ShBA-ja dhe BE-ja nuk kanë lëvizur nga kërkesa e tyre urgjente që Kosova ta dërgon draft-statutin e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.
Ndonëse Qeveria ende nuk ka bërë ndonjë lëvizje në këtë drejtim, ShBA-ja dhe BE-ja ka thënë se nuk e pranojnë asnjë arsyetim të Qeverisë për të zvarritur këtë çështje.
Këtë kërkesë Qeveria ia ka përsëritur edhe emisari i ShBA-së, Gabriel Escobar, një ditë para vizitës në Prishtinë, ku do të takohet liderët institucionalë.
Një konferencë online me gazetarë, ai ka thënë se kjo çështje duhet të dërgohet në Kushtetuese sa më parë.
“Është thjeshtë mundësia për komunat, komunat me shumicë serbe që të koordinohen, në gjuhën serbe, për qytetarë të Kosovës. Është ligjërisht i obligueshëm. Kemi dëgjuar shumë arsye pse s’është dërguar në Kushtetuese, apo ecur përpara, por ne i refuzojmë të gjitha, duhet të ecë përpara sa më parë. Besojmë që e gjithë çështja e dinarit do të zgjidhej përmes Asociacionit”, ka thënë Escobar.
Të njëjtën gjë e ka përsëritur edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajkaç.
“Reagimi im i menjëhershëm pas Banjskës ishte thirrja për heqjen e masave për hir solidariteti. Kam pasur shumë diskutime për këtë temë brenda strukturave të BE-së, por edhe me shtetet anëtare dhe jo të gjithë e ndanin pikëpamjen time, pasi që ndjenja e ndarë nga shumë anëtarë është se BE-ja dëshiron të shohë një sinjal të qartë pozitiv nga qeveria e Kosovës. Një nga ato opsione që sigurisht do të konsiderohej si sinjal pozitiv ishte mundësimi i zgjedhjeve të reja të shpejta lokale në veri të Kosovës dhe mënyra më e shpejtë vazhdon të jetë dorëheqja e kryetarëve të komunave. Një sinjal tjetër pozitiv do të ishte dërgimi i Draft Statutit Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim ligjor. Fatkeqësisht, asnjë nga këto nuk ka ndodhur”, ka thënë Lajçak.
Deri me tani kjo kërkesë e ShBA-së dhe BE-së ka hasur në vesh të shurdhër. Askush prej Qeverisë së Kosovës nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për mosdërgimin e dokumentit në fjalë në Kushtetuese.
Ditë më parë, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka dhënë një shpjegim për këtë gjë.
Ajo ka thënë se ky veprim nuk do të ndërmerret derisa BE-ja t`i marrë parasysh komentet e palës kosovare për draftin.