Politikania serbe, Rada Trajkoviq ka thënë se shpërthimi i mbrëmshëm në Mitrovicën e Veriut është mesazh për serbët në veri se mund të pësojnë njëjtë si Oliver Ivanoviqi, që u vra gjashtë vjet më parë.
Të hënën në mbrëmje, dy persona pësuan lëndime në Mitrovicë të Veriut si pasojë e një shpërthimi të një granate dore në afërsi të një hoteli.
“Ky në fakt është mesazhi”, ka thënë ajo duke shtuar se kur shteti nuk punon për sigurinë e qytetarëve dhe “i lejon pjesëmarrësit në organizimin e vrasjes së Ivanoviqit të dominojnë, ky lajm s’përbën befasi”. “Ky është mesazh, mbi të gjitha, për serbët e veriut të Kosovës: Ne jemi këtu! Nëse nuk jeni besnikë, do të përfundoni si Oliveri”, ka shtuar Trajkoviq.
Në një intervistë për “N1”, Trajkoviq ka kujtuar se Radoiçiqi e Veselinoviq janë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa ka përsëritur se janë të lidhur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe si biznesmenë janë bërë milionerë.
Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë edhe për sulmin terrorist të Banjskës më 24 shtator.
Trajkoviq ka thënë se ka spekulime se ai po përgatit hakmarrje.
“Ka spekulime se është përreth veriut dhe se po përgatit hakmarrje për vrasje të të rinjve”, ka thënë ajo.
Trajkoviqi ka thënë se fuqia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e rrezikshme për shtetin dhe popullin serb. Sipas saj, Vuçiqi duhet të përgjigjet për rastin e Banjskës dhe lidhjen me Radoiçiqin.